TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Qershor 2023, 21:40

A ka nisur Putin operacionin “fshesa”? Asnjë gjurmë nga Prigozhin dhe gjenerali Surovikin

Shkruar nga Pamfleti

A ka nisur Putin operacionin “fshesa”? Asnjë gjurmë nga

Prigozhin thuhet se u akomodua në një hotel pa dritare në qendër të Minskut, nga frika e ndonjë atentati. Por duke pasur parasysh faktin se lideri Bjellorus, Lukashenko është një vegël e Putinit, një veprim i tillë duket absurd dhe lind dyshime se fati i Prigozhin, mund të jetë vulosur pa mbërritur në Bjellorusi...

Njëri njihet si “Gjenerali Armagedon”, tjetri si “kuzhinieri i Putinit” dhe të dy kanë një të kaluar të famëkeqe dhe një reputacion për brutalitet.

Njëri nisi kryengritjen, tjetri thuhet se e dinte se çfarë do të ndodhte, por prej ditësh askush nuk e di se ku ndodhen ata, apo se çfarë ka ndodhur me ta.

Komandanti i forcës ajrore ruse, Sergey Surovikin dhe shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin nuk janë parë në publik prej disa ditësh, ndërsa pyetjet vërtiten rreth rolit që Surovikin mund të ketë luajtur në kryengritjen jetëshkurtër të Prigozhin.

Surovikin ka qenë subjekt i spekulimeve intensive mbi rolin e tij në kryengritje pasi “New York Times” raportoi të mërkurën se gjenerali "kishte njohuri paraprake për planet e Yevgeny Prigozhin për t'u rebeluar kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë".

Surovikin publikoi një video të premten e kaluar, pikërisht kur rebelimi po fillonte, duke i bërë thirrje Prigozhin që të ndalonte rebelimin menjëherë pasi kishte filluar. Video-mesazhi e bëri të qartë se ai ishte në anën e Putinit. Por pamjet ngritën më shumë pyetje sesa përgjigje për vendndodhjen e Surovikin dhe gjendjen e tij shpirtërore. Ai u shfaq i parruar dhe i dorëzuar e dukej sikur po lexonte nga një skenar.

Të mërkurën, versioni në gjuhën ruse i gazetës së pavarur “Moscow Times” citoi dy burime anonime të mbrojtjes duke thënë se Surovikin ishte arrestuar në lidhje me rebelimin e dështuar.

Një bloger i njohur me emrin Rybar vuri në dukje të mërkurën se "Surovikin nuk është parë që nga e shtuna" dhe tha se askush nuk e dinte me siguri se ku ishte. Një gazetar i mirënjohur rus Alexey Venediktov – ish-redaktor i radiostacionit tashmë të mbyllur Echo of Moscow – pohoi gjithashtu të mërkurën se Surovikin nuk kishte qenë në kontakt me familjen e tij për tre ditë. Komandanti i forcave ajrore ruse nuk është parë në publik që prej natës së të premtes kur publikoi videon dhe asgjë nuk dihet për të.

Ndërkohë Yevgeny Prigozhin u pa për herë të fundit duke u larguar nga qyteti jugor rus i Rostov-on-Don të shtunën, pasi anuloi befas marshimin e trupave të tij në Moskë .

Ai lëshoi ​​një mesazh audio të hënën, duke shpjeguar vendimin e tij për të kthyer trupat e tij prapa. Kremlini dhe presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko pretenduan të shtunën se Prigozhin ra dakord të largohej nga Rusia për në Bjellorusi.

Lukashenko tha se ai ndërmjetësoi një marrëveshje që do ta shihte Prigozhin të mërguar në Bjellorusi pa u përballur me akuza penale. Sipas Lukashenkos, shefi i Wagner mbërriti në Bjellorusi të martën.

Ndërsa nuk ka video apo foto që tregojnë që Prigozhin ka mbërritur në Bjellorusi, imazhet satelitore të një baze ajrore jashtë Minskut treguan se dy avionë të lidhur me Prigozhin u ulën atje të martën në mëngjes.

Prigozhin thuhet se u akomodua në një hotel pa dritare në qendër të Minskut, nga frika e ndonjë atentati. Por duke pasur parasysh faktin se lideri Bjellorus, Lukashenko është një vegël e Putinit, një veprim i tillë duket absurd dhe lind dyshime se fati i Prigozhin mund të jetë vulosur pa mbërritur në Bjellorusi./Përshtati “Pamfleti” nga “CNN”

prigozhin putin zhdukja

Lini një Përgjigje