TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Korrik 2026, 17:34

Ankaraja shndërrohet në fortesë para samitit të NATO-s, vëmendja te Trump

Shkruar nga Pamfleti
Ankaraja shndërrohet në fortesë para samitit të NATO-s,
Presidenti amerikan

Ankara mobilizon mijëra forca sigurie dhe vendos masa të rrepta për samitin e 7-8 korrikut, ku liderët e 32 vendeve anëtare do të diskutojnë të ardhmen e Aleancës, shpenzimet për mbrojtjen dhe rolin e SHBA-së…

Turqia ka ndërmarrë masa të gjera sigurie për samitin e NATO-s që do të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në Ankara. Autoritetet kanë angazhuar dhjetëra mijëra efektivë policie, kanë vendosur mbrojtjen ajrore në gatishmëri të lartë, kanë ndaluar grumbullimet publike dhe kanë vendosur kufizime që kanë nxitur debat lidhur me lirinë e shprehjes dhe të tubimit.

Ankaraja synon që përmes organizimit të samitit të dëshmojë rolin e saj në Aleancë dhe angazhimin ndaj NATO-s, pavarësisht se shpesh është konsideruar një partner jo gjithmonë në një linjë me aleatët.

Në Samit do të marrin pjesë liderët e 32 vendeve anëtare, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Deklaratat e tij të mëparshme për një tërheqje të mundshme të SHBA-së nga NATO ose për reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë kanë ngritur pikëpyetje mbi drejtimin e ardhshëm të Aleancës.

Turqia ka përgatitur gjithashtu një aeroport të ri VIP, të ndërtuar mbi bazën e një ish-aeroporti ushtarak, i cili do të shërbejë për pritjen e delegacioneve të nivelit të lartë.

Në fokus të samitit pritet të jenë rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe përcaktimi i rolit të ardhshëm të SHBA-së brenda NATO-s. Një tjetër temë qendrore do të jetë ruajtja e unitetit të Aleancës, pas kritikave të Trump ndaj disa aleatëve për mungesë mbështetjeje ndaj veprimeve ushtarake amerikane kundër Iranit dhe për përpjekjet për garantimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

“Një aspekt i rëndësishëm i takimit është të shihet nëse dallimet mes SHBA-së dhe Evropës mund të zbuten gjatë samitit”, tha Fatih Ceylan, ish-ambasador i Turqisë në NATO dhe analist i sigurisë në Qendrën e Politikave “Ankara”.

Në vijim ai shtoi: “nuk duhet të presim mrekulli, por ekziston një pajtim për të theksuar rëndësinë e NATO-s dhe kjo do të ishte një arritje”.

Sipas raportimit, organizimi i samitit në Turqi ka ndikuar edhe në vendimin e Donald Trump për të marrë pjesë, duke pasur parasysh marrëdhëniet e tij të afërta me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.

“Po të mos organizohej nga presidenti Erdoğan në Turqi, nuk besoj se do të shkoja”, u tha Trump gazetarëve pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë.

Në prag të samitit, Erdogan e përshkroi Turqinë si një aleate të besueshme që mban përgjegjësi të rëndësishme në krahun juglindor të NATO-s dhe tha se vendi i tij synon që samiti i Ankarasë të mbetet një pikë referimi në historinë e Aleancës.

Turqia është anëtare e NATO-s që nga viti 1952 dhe zotëron ushtrinë e dytë më të madhe në Aleancë pas SHBA-së. Pozicioni i saj strategjik, në kryqëzimin e Evropës, Lindjes së Mesme, Detit të Zi dhe Kaukazit, si dhe zhvillimi i industrisë së mbrojtjes, i japin një rol të rëndësishëm brenda organizatës.

Megjithatë, Ankaraja ka ndjekur shpesh politika të pavarura, duke refuzuar t'u bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë, duke u përfshirë në mosmarrëveshje me Greqinë dhe duke blerë sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400. Për këtë arsye, në vitin 2019, SHBA e përjashtoi Turqinë nga programi i avionëve luftarakë F-35.

Nga ana tjetër, politika e saj e pavarur i ka mundësuar Turqisë të luajë rol ndërmjetësues në disa kriza ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen për eksportin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi në vitin 2022 dhe nismat e fundit diplomatike që synojnë përfundimin e konfliktit me Iranin.

Turqia ka shprehur gjithashtu pakënaqësi ndaj disa aleatëve të NATO-s, duke vlerësuar se nuk mori mbështetje të mjaftueshme pas tentativës për grusht shteti në vitin 2016 dhe për shkak të kufizimeve në eksportin e armëve pas operacioneve të saj ushtarake në Siri.

 

ankaraja trump nato

1 Komente

  1. G
    Gj.Kola

    Germania po armatoset deri në dhëmbë dhe po dobësohet ekonomikisht, po ashtu të gjitha shtetet anëtare NATO po shpenzojnë miliarda. Amerika ja Ka arritur qellimit

    Lini një Përgjigje