Ka projekte në të gjithë Shqipërinë që prekin prona private dhe zona të mbrojtura. Ka qytetarë që kanë tokat e tyre, ndërsa në libër shfaqen resorte dhe ndërtime të planifikuara mbi ato prona. Kryeministri nuk mund të thotë se janë thjesht vizatime për qejf...
Protesta qytetare, që ka hyrë në ditën e saj të 32-të, vijon të ushtrojë presion edhe mbi institucionet e drejtësisë. Pas dorëzimit simbolik të librit "The Albanian Files" në Prokurorinë e Posaçme, një nga koordinatorët e protestës, Edison Lika, deklaron se tashmë SPAK ka në dorë materiale të mjaftueshme për të hetuar kryeministrin Edi Rama.
I ftuar në podkastin "Të Pashoq" të Pamfletit, Lika tha se që në ditët e para protesta ka pasur dy aleatë: shoqërinë dhe drejtësinë.
"Në fakt, nëse kjo protestë ka pasur dy aleanca, një ka qenë me gjithë shoqërinë dhe tjetra me drejtësinë. Që në ditën e parë kemi kërkuar që SPAK të hetojë Edi Ramën. Tani ka dalë edhe libri 'The Albanian Files', i cili dokumenton qindra projekte të qeverisë Rama. Pikërisht aty kuptuam se projekti i Zvërnecit ishte planifikuar që në vitin 2022, madje me investitor të përcaktuar. Kjo do të thotë se ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura nuk ka qenë rastësi, por është bërë për t'i hapur rrugë projekteve të caktuara", u shpreh Lika.
Sipas tij, libri nuk dokumenton vetëm rastin e Zvërnecit, por ngre dyshime edhe për projekte të tjera në të gjithë vendin që, sipas organizatorëve, cenojnë pronën publike dhe atë private.
"Ka projekte në të gjithë Shqipërinë që prekin prona private dhe zona të mbrojtura. Ka qytetarë që kanë tokat e tyre, ndërsa në libër shfaqen resorte dhe ndërtime të planifikuara mbi ato prona. Kryeministri nuk mund të thotë se janë thjesht vizatime për qejf. Ai është kryeministër dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, institucioni që vendos për këto projekte. Minimalisht kemi konflikt interesi. Për këto arsye, Edi Rama duhet të thirret nga SPAK, fillimisht si person që ka dijeni dhe më pas të mbajë përgjegjësi për çdo shkelje që provohet", deklaroi ai.
Lika tha se dorëzimi simbolik i librit në SPAK ishte një test edhe për vetë Prokurorinë e Posaçme.
"Nuk e di nëse SPAK është në krahun tonë, por di që materiali që i kemi dorëzuar përmban elementë të mjaftueshëm për të çuar Ramën para drejtësisë. Tani është radha e SPAK-ut të tregojë nëse do të ketë guximin t'i shkojë deri në fund hetimeve. Ne e kemi përshëndetur për arrestimet që ka bërë deri tani, por drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, edhe kur bëhet fjalë për kryeministrin", u shpreh koordinatori i protestës.
Deklaratat e Likës vijnë në një kohë kur protesta qytetare ka hyrë në muajin e saj të dytë, ndërsa organizatorët po përpiqen ta zhvendosin presionin jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar hetimin e projekteve të përfshira në librin "The Albanian Files".
Lini një Përgjigje