Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Kievi ka nisur procesin e “kthimit të luftës në territorin rus”, pasi dhjetëra dronë ukrainas u drejtuan drejt Moskës gjatë natës.
Sipas autoriteteve ruse, afro 60 dronë ukrainas u interceptuan teksa po fluturonin drejt kryeqytetit rus, duke detyruar aeroportet e Moskës të ndërprisnin përkohësisht operacionet. Në të gjithë territorin e Rusisë, autoritetet raportuan se kanë rrëzuar më shumë se 300 dronë.
Në një intervistë të dhënë mbrëmjen e së dielës, Zelensky tha se industria dhe forcat mbrojtëse të Ukrainës kanë filluar të përgjigjen në mënyrë më të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve ruse.
“Rusët na sulmojnë çdo ditë dhe ne do të kundërpërgjigjemi çdo ditë. Përgjigjja jonë do të bëhet më e fortë me çdo ditë që kalon”, deklaroi ai.
Ndërkohë, në Ukrainën veriore, një sulm me dron i Rusisë vrau tre anëtarë të së njëjtës familje, përfshirë një djalë 13-vjeçar, në rajonin Sumy. Lajmi u konfirmua nga prokurorët rajonalë, sipas agjencisë Reuters.
Zhvillimet e fundit konsiderohen si një tregues i ndryshimeve në dinamikën e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, çështje që u diskutua edhe nga liderët e G7-s dhe Bashkimit Evropian gjatë javës së kaluar.
Lini një Përgjigje