Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, borxhin prej 302 milionë dollarë nga SHBA e ka cilësuar historike marrëveshjen që Kuvendi pritet të ratifikojë në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF).
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla tha se marrëveshja e huasë me vlerë 302 milionë dollarë amerikanë përbën një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe përforcon partneritetin strategjik me SHBA-në.
Sipas tij, financimi do të përdoret për Forcat e Armatosura dhe do të disbursohet gradualisht për nevoja konkrete, ndërsa kredia ka një afat shlyerjeje deri në 12 vjet.
Ndërsa për Gazment Bardhin e PD, opozita nuk është vendosur në dijeni të marrëveshjes dhe procedura e ndjekur është në shkelje të Kushtetutës. Shefi i grupit të PD tha se marrëveshja është e mirëpritur, por nënvizoi se qeveria nuk ka përmbushur dot angazhimin për sigurinë si vend anëtar i NATO-s.
“Kushtetuta për ju është firma e Edi Ramës, për ne është kontrata që kemi lidhur me qytetarët shqiptarë. Na foli për marrëveshje historike, keni pasur 14 vite kohë për të plotësuar buxhetin e sigurisë, na flet ti ne që s’kuptojmë marrëveshjen? Kur e quaje NATO-n natë, grupi këtej firmoste anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Më pak se 2% është buxheti i mbrojtjes së Shqipërisë në shkelje të angazhimit në NATO ndërkohë që Rama mburret publikisht duke gënjyer. Qeveria po përpiqet të korrigjojë me nxitim dëmin që i shkakton besueshmërisë së Shqipërisë. Ne nuk e disponojmë marrëveshjen, s’na është vënë në dispozicion. Marrëveshja është e mirëpritur sepse Shqipërisë i duhen investime të tilla. Reagimi është i vonuar”, tha Bardhi.
Seanca për miratimin e marrëveshjes do të mbahet në orën 15:00.
Lini një Përgjigje