
Biznesmeni italian Valter Lavitola, i akuzuar nga Prokuroria e Romës se ka porositur sulmin ndaj gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci, ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje gjatë dëshmisë së tij para prokurorëve.
"Nuk isha unë, nuk e di kush mund të ketë qenë dhe nuk kam asnjë ide për motivin", deklaroi Lavitola, duke hedhur poshtë akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Ai u shpreh gjithashtu se ishte "i shokuar" nga pretendimet e prokurorisë, duke theksuar se me gazetarin Ranucci ka një marrëdhënie që e cilësoi si vëllazërore.
Sa i përket pranisë së tij pranë vendit ku ndodhi sulmi rreth një muaj para shpërthimit, Lavitola deklaroi se e vizitonte shpesh gazetarin, ndaj prania e tij në zonë nuk lidhej me ngjarjen.
Biznesmeni komentoi edhe mbi rolin e pretenduar të kamerierit Gomes Clesio Tavares, i cili dyshohet si ndërmjetës në çështje. Sipas tij, ai nuk e ka dërguar në Kamerun.
"Ai është shpesh atje dhe kjo është e qartë nga pasaporta e tij. Ai tani është në vendin e tij të lindjes për një marrëveshje krediti karboni", u shpreh Lavitola.
Ngjarja ndodhi në tetor të vitit të kaluar, kur një bombë e improvizuar shpërtheu pranë banesës së gazetarit Sigfrido Ranucci në Campo Ascolano, pranë Romës. Si pasojë e shpërthimit u shkatërruan dy automjetet e tij të parkuara dhe u dëmtua porta hyrëse e banesës. Fatmirësisht, nga sulmi nuk pati persona të lënduar.
Lini një Përgjigje