TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Qershor 2026, 22:21

Ia dhuroi Katari, Trump zbulon avionin e ri luksoz të Air Force One (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Ia dhuroi Katari, Trump zbulon avionin e ri luksoz të Air Force One (Video)
Air Force One

Avioni luksoz do të përdoret përkohësisht si Air Force One deri në përfundimin e dy avionëve të rinj Boeing që pritet të dorëzohen pas rreth dy vitesh...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, prezantoi në bazën ushtarake Joint Base Andrews avionin e ri presidencial, një avion luksoz i dhuruar nga qeveria e Katarit, i cili tashmë mban ngjyrat kombëtare amerikane dhe mbishkrimin “United States of America”.

Avioni synon të mbulojë periudhën kalimtare mes dy avionëve të modifikuar Boeing 747-200, që shërbejnë si Air Force One që nga viti 1990, dhe dy avionëve të rinj që kompania Boeing po përshtat për përdorim presidencial. Këta të fundit nuk pritet të jenë gati për të paktën edhe dy vjet.

Me avionin e ri ndryshon edhe pamja e jashtme e flotës presidenciale. Skema tradicionale me ngjyrë blu të çelët, e konceptuar fillimisht nga Jacqueline Kennedy dhe e përdorur për dekada, është zëvendësuar nga një kombinim i ngjyrës blu të errët dhe të bardhë, i ndërprerë nga shirita të kuq.

Forcat Ajrore të SHBA-së njoftuan të premten se avioni do të nisë së shpejti fluturimet e certifikimit operacional, të cilat konsiderohen testi përfundimtar i procesit të modifikimit.

“Siguria dhe mbrojtja e komandantit të përgjithshëm mbeten prioriteti ynë më i lartë. Që nga fillimi kemi vlerësuar me kujdes çdo kërkesë për të përshpejtuar dorëzimin, duke ruajtur standardet e larta që kërkon misioni presidencial”, deklaroi Sekretari i Forcave Ajrore, Troy Meink.

Trump kishte shprehur pakënaqësi për vonesat në programin e avionëve të rinj Air Force One, të cilët sipas vlerësimeve nuk do të përfundojnë para përfundimit të mandatit të tij në vitin 2029.

Pentagoni e pranoi avionin e dhuruar nga Katari vitin e kaluar dhe gjatë muajve të fundit ka punuar për ta përgatitur atë për shërbim presidencial. Procesi është përshpejtuar pjesërisht sepse pjesa e brendshme e avionit nuk ka pësuar ndryshime të mëdha strukturore.

 

avioni air force one trump

Lini një Përgjigje