Sot konsiderohet një nga mbështetësit më të fortë të Donald Trumpit në Senat, por rrugëtimi politik i Lindsey Graham ndaj presidentit amerikan ka nisur krejt ndryshe.
Në vitin 2016, kur Trump garonte për nominimin republikan për Shtëpinë e Bardhë, Graham ishte ndër kundërshtarët më të ashpër të tij. Ai kritikoi veçanërisht propozimin e Trumpit për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në SHBA, duke deklaruar se Partia Republikane duhej t’i thoshte atij “të shkonte në ferr”.
Gjatë fushatës paraprake republikane, Graham e cilësoi Trumpin si “nominuarin më të metë në historinë e Partisë Republikane” dhe paralajmëroi se kandidatura e tij mund të dëmtonte rëndë partinë. Edhe pas sigurimit të nominimit republikan, senatori nga Karolina e Jugut refuzoi ta mbështeste Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Por një takim në mars të vitit 2017 me presidentin e sapozgjedhur ndryshoi raportin mes tyre. Që prej asaj kohe, Graham nisi të afrohej me administratën Trump, duke u shndërruar gradualisht në një nga zërat më besnikë të tij në Kongres.
Në mandatin e dytë të Trumpit, Graham u kthye në një mbështetës kyç të agjendës së presidentit, duke ndihmuar në avancimin e nismave të rëndësishme ekonomike dhe buxhetore, përfshirë paketën e uljeve të taksave dhe ndryshimeve në programet sociale, të njohur si “One Big Beautiful Bill”, të cilën demokratët e kundërshtuan.
Roli i tij si aleat i Trumpit u bë veçanërisht i dukshëm gjatë procesit të konfirmimit të gjyqtarit Brett Kavanaugh në Gjykatën Supreme. Si anëtar i Komitetit Gjyqësor të Senatit, Graham u kthye në një nga mbrojtësit kryesorë të Kavanaugh, edhe pasi ndaj kandidatit u ngrit një akuzë për sulm seksual.
Me kalimin e viteve, marrëdhënia mes dy republikanëve u transformua plotësisht. Nga një politikan që e shihte Trumpin si rrezik për Partinë Republikane, Graham u bë një nga mbështetësit më të fuqishëm të tij në Uashington, duke e përshkruar në një moment veten si “Ylli i Veriut” i presidentit.
Lini një Përgjigje