TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Korrik 2026, 18:15

Lituania dhe Letonia japin alarmin: Rusia synon infrastrukturën kritike të NATO-s

Shkruar nga Pamfleti
Lituania dhe Letonia japin alarmin: Rusia synon infrastrukturën kritike
Presidentët e Lituanisë dhe Letonisë

Rusia po planifikon sulme ndaj infrastrukturës kritike në vendet baltike ose në Poloni, paralajmëruan sot presidentët e Lituanisë dhe Letonisë, duke iu referuar raporteve të shërbimeve të inteligjencës të vendeve të tyre.

Po flasim për infrastrukturën energjetike ose atë të transportit – objekte, dëmtimi i të cilave mund të ndërpresë funksionimin e të gjithë sistemit energjetik”, tha presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, në një konferencë për shtyp në Vilnius, së bashku me homologun e tij letonez, Edgars Rinkēvičs.

Sipas Nausėdës, këto sulme “planifikohen në nivelin më të lartë, konkretisht në Moskë”.

Presidenti i Letonisë tha se “informacionet që marrim nga Lituania, Letonia, vende të tjera të NATO-s, si dhe nga shërbime të ndryshme të inteligjencës, tregojnë për përpjekje të ndryshme për përgatitjen e akteve të sabotimit dhe sulmeve hibride”.

Rinkēvičs theksoi se vendet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania – së bashku me Poloninë, të gjitha anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duhet të përgatiten për veprime provokuese nga Rusia, pasi Moska synon të “testojë” mekanizmin e mbrojtjes kolektive të NATO-s.

Edhe pa arritur një fitore të plotë në Ukrainë, Rusia mund të përpiqet të testojë në mënyrë të tërthortë nenin 5 dhe mekanizmat e reagimit të Aleancës dhe të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Këto paralajmërime u shtohen shqetësimeve të shprehura së fundmi nga media dhe udhëheqësit e vendeve në krahun lindor të NATO-s. Në fund të qershorit, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, deklaroi se “në javët dhe muajt e ardhshëm” priten “forma të ndryshme përshkallëzimi”, duke e cilësuar situatën “shumë të paqëndrueshme”.

Zyrtarët e vendeve baltike dhe të Polonisë i atribuojnë tashmë Moskës një sërë “provokimesh”, përfshirë zjarrvënie, sulme kibernetike dhe akte sabotimi në linjat hekurudhore.

Presidenti lituanez tha se vendi i tij ka forcuar tashmë masat e sigurisë për infrastrukturën e transportit dhe atë energjetike.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë këto paralajmërime.

Sipas tij, “bëhet fjalë për një tjetër grumbull rrëfenjash frikësuese, që synojnë të vazhdojnë shpëlarjen e trurit dhe të përgatisin popullsinë për militarizim ekstrem”.

lituani nato rusi

Lini një Përgjigje