Jurgen Klop është shumë pranë emërimit si trajneri i ri i kombëtares së Gjermanisë. Sipas raportimeve, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka bërë hapa vendimtarë drejt arritjes së marrëveshjes, ndërsa tekniku 58-vjeçar pritet të prezantohet javën e ardhshme si pasardhësi i Julian Nagelsman.
Presidenti i DFB-së, Bernd Nojendorf së bashku me zëvendësin e tij Hans-Hoakim Vacke, kanë zhvilluar të martën një takim me drejtorin ekzekutiv të Red Bull, Oliver Minclaf, ku është arritur një dakordësi paraprake për lirimin e Klop. Aktualisht, ish-trajneri i Liverpulit është nën kontratë me Red Bull, ku mban postin e Drejtorit të “Global Soccer” deri në vitin 2029.
Hapi i fundit drejt zyrtarizimit pritet të jetë një takim mes Minclaf dhe Klop në prag të finales së Kupës së Botës në Nju Jork. Gjatë këtij diskutimi do të përcaktohen detajet e ndarjes së trajnerit me kompaninë, si edhe mundësia që ai të vazhdojë të kontribuojë me ekspertizën e tij në projektet sportive të Red Bull edhe pas largimit nga posti aktual.
Një tjetër çështje që pritet të diskutohet lidhet me stafin e punësuar në Red Bull pas mbërritjes së Klop rreth një vit e gjysmë më parë. Ndërkohë, trajneri gjerman synon të marrë me vete në pankinën e "Mannshaft" edhe ndihmësin e tij prej shumë vitesh, Peter Krauiec.
Sipas burimeve, Klop do të firmosë një kontratë katërvjeçare, e vlefshme deri në përfundim të Kupës së Botës 2030. Ende nuk dihet nëse marrëveshja do të përmbajë një klauzolë që lejon ndërprerjen e saj në rast të një eliminimi të hershëm në “EURO 2028” ose dështimit për t'u kualifikuar në këtë turne.
Nëse nuk ka ndryshime të minutës së fundit, Klop do të prezantohet zyrtarisht si trajneri i ri i kombëtares gjermane menjëherë pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara.
Kombëtarja gjermane do ta nisë sezonin e ri ndërkombëtar me katër sfida në Ligën e Kombeve, ku do të përballet me Holandën (24 shtator, Amsterdam), Greqinë (27 shtator, Augsburg dhe 4 tetor, Selanik) dhe Serbinë (1 tetor, Mynih).
Lini një Përgjigje