TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Maj 2026, 11:00

Marrëveshje apo diplomaci? Trump zbarkon në Pekin me Elon Musk, por pa Melanian

Shkruar nga Pamfleti
Marrëveshje apo diplomaci? Trump zbarkon në Pekin me Elon Musk, por pa
Xi dhe Trump

Presidenti amerikan thotë se takimi i tij me Xi Jinping është samiti më i madh ndonjëherë

Vizita shtetërore e Donald Trump në Kinë është një nga momentet më të rëndësishme të politikës së jashtme gjatë gjithë presidencës së tij, por ai mbërriti në Pekin me disa të ftuar të pazakontë në bordin e Air Force One.

Trump mbërriti në Pekin të enjten në mëngjes sipas orës europiane, ku shtrëngoi duart me presidentin kinez Xi Jinping dhe inspektoi trupat kineze mbi tapetin e kuq përpara Pallatit të Madh të Popullit. Trump e quajti Xi një lider të madh dhe mik gjatë ceremonisë së mirëseardhjes.

“Ju jeni një lider i madh. Ndonjëherë njerëzit nuk duan që unë ta them këtë, por unë e them gjithsesi”, i tha Trump Xi-t ndërsa qëndronin përballë njëri-tjetrit, duke shtuar “ka nga ata që thonë se ky mund të jetë samiti më i madh ndonjëherë... Është nder të jem me ju. Është nder të jem miku juaj dhe marrëdhënia mes Kinës dhe SHBA-së do të jetë më e mirë se kurrë më parë.”

Cili është qëllimi i udhëtimit të Trump?

Me rënien e fundit të mbështetjes në sondazhe, Trump synon të sigurojë fitore ekonomike, të ruajë armëpushimin e brishtë tregtar dhe të menaxhojë çështje të ndërlikuara si lufta me Iranin dhe shitjet e armëve për Tajvanin.

Takimet e kësaj jave do t’u japin Trump dhe Xi shumë kohë për bisedime direkte.

Pas takimeve në Pallatin e Madh të Popullit, ata do të vizitojnë Tempullin e Qiellit, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, dhe do të marrin pjesë në një banket shtetëror të enjten, përpara se të pinë çaj dhe të drekojnë së bashku të premten, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Të dyja palët janë të interesuara të ruajnë armëpushimin tregtar të arritur tetorin e kaluar në Korenë e Jugut, ku Trump pezulloi tarifat trefishifrore ndaj mallrave kineze, ndërsa Xi hoqi dorë nga kufizimi i furnizimeve globale me minerale të rralla.

“Udhëtimi në Kinë është pjesërisht një mision tregtar, ndoshta në masë të madhe. Është gjithashtu një shpërqendrim nga lufta e Trump me Iranin”, tha Dr. John Hart, ish-drejtues i departamentit të shkencave politike në Australian National University dhe specialist për qeverisjen amerikane.

“Kina ka interes që Trump të ulë tarifat aktuale. Nuk besoj se do t’i duhet të japë shumë në këmbim. Por nuk ka asnjë mundësi që Kina të ndryshojë qëndrimin e saj për Tajvanin për të siguruar marrëveshje më të mira tregtare me SHBA-në”, tha Hart.

Për Xi Jinping, shitjet amerikane të armëve për Tajvanin, ishulli i vetëqeverisur që Kina e konsideron territor të saj, do të jenë një prioritet kryesor. Kina përsëriti të mërkurën kundërshtimin e saj të fortë ndaj këtyre shitjeve.

Kush po e shoqëron presidentin amerikan?

Nuk ndodh shpesh që një president amerikan të lërë bashkëshorten në shtëpi gjatë një udhëtimi kaq të rëndësishëm, ndërsa merr me vete mikun që u kthye në armik e më pas sërish në mik, Elon Musk.

Por Trump nuk ka ndjekur kurrë rregullat tradicionale dhe ky udhëtim nuk bën përjashtim.

Vlera e pasagjerëve në bordin e Air Force One, teksa avioni u ul në Pekin, kapte më shumë se një miliard dollarë.

Përveç Trump dhe anëtarëve të kabinetit, Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Sekretarit të Thesarit Scott Bessent, në delegacion ndodheshin edhe titanë të biznesit, përfshirë Musk dhe drejtorin ekzekutiv të Apple, Tim Cook.

Në udhëtim u bashkua edhe drejtori ekzekutiv i Nvidia, Jensen Huang, i cili hipi në avion gjatë një ndalese për furnizim me karburant në Alaskë, me kërkesë të Trump.

Në një postim në Truth Social, Trump sulmoi raportimet e rrjetit amerikan CNBC, duke thënë se Huang nuk ishte i paftuar.

“Në fakt, Jensen ndodhet aktualisht në Air Force One dhe, përveç rastit kur unë t’i kërkoj të largohet, gjë shumë e pamundur, raportimi i CNBC është i pasaktë ose, siç themi në politikë, lajm i rremë!”, shkroi Trump.

Në udhëtim ndodhen gjithashtu Lara Trump, nusja e presidentit, si dhe regjisori Brett Ratner, i cili sipas raportimeve po shqyrton lokacione për filmin e tij të ardhshëm “Rush Hour 4”, me aktorin kinez Jackie Chan dhe komedianin amerikan Chris Tucker.

“Lara Trump mund të jetë thjesht duke shoqëruar bashkëshortin e saj (djalin e Trump, Eric), por ndoshta kjo lidhet më shumë me bizneset e familjes Trump dhe marrëveshjet që ata duan të bëjnë me Kinën... Nuk pres që ajo t’i japë këshilla presidentit se si të trajtojë Kinën”, tha Hart.

A ndodhet Trump në Kinë për marrëveshje apo për diplomaci?

Reputacioni i Trump në politikën e jashtme është goditur kohët e fundit për shkak të luftës me Iranin.

“Theksi me siguri do të jetë te marrëveshjet. Trump nuk është diplomat. Ai nuk ka njohuritë apo aftësitë për të bërë diplomaci. Dhe, duke gjykuar nga menaxhimi i dobët i luftës me Iranin, ai ka shumë pak durim për diplomacinë”, tha Hart.

“Nuk shoh se ai do të arrijë ndonjë marrëveshje me Kinën për Tajvanin. Ky është problemi kryesor në marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe Trump thjesht nuk ka aftësinë për të negociuar atë çështje. As Kina nuk ka arsye të ndryshojë qëndrimin e saj për Tajvanin.”

A do të ketë reagim nga baza MAGA?

Trump nuk ka qenë gjithmonë kaq i ngrohtë ndaj Kinës. Në të kaluarën, ai e ka akuzuar shpesh Pekinin se “po grabit” SHBA-në përmes marrëveshjeve tregtare dhe ka kritikuar ashpër mënyrën si Kina menaxhoi pandeminë Covid-19.

“Nuk mund të vazhdojmë të lejojmë Kinën të përdhunojë vendin tonë dhe pikërisht këtë po bën. Është vjedhja më e madhe në historinë e botës”, deklaroi ai në një tubim elektoral në vitin 2016.

Retorika kundër Kinës ishte një pjesë e rëndësishme e fushatës së hershme politike të Trump. Tani disa prej mbështetësve të tij, përfshirë moderatoren pro-Trump Laura Ingraham, po shprehin shqetësim pas raportimeve se Trump dhe Xi po shqyrtojnë një marrëveshje që do t’i lejonte Kinës të investonte 1 trilion dollarë në SHBA, kryesisht për ndërtimin e fabrikave.

Në reagim, ish-kongresmenja Marjorie Taylor Greene, dikur aleate e fortë e Trump përpara një përplasjeje të ashpër mes tyre, shkroi në rrjetet sociale:

“Jam mjaftueshëm e vjetër për të kujtuar kur MAGA kërkonte që Kinës të mos i lejohej të zotëronte tokë në Amerikë. Por MAGA është çfarëdo që thotë Trump, sipas tij, kështu që tani qenka në favor të luftërave të huaja dhe Kinës. Tronditëse.” /Përshtatur nga The Telegraph/

 

xi trump melania

Lini një Përgjigje