Fjalimet para Kryeministrisë kanë vijuar me tone të forta edhe nga përfaqësuesit e rinisë. Një prej tyre, Erion Murataj, iu drejtua mijëra protestuesve të mbledhur në ditën e 44-t të revoltës qytetare, duke deklaruar se protesta kërkon përgjegjësi për të gjithë klasën politike.
Në fjalën e tij, Murataj tha se slogani që përfaqëson lëvizjen është ndëshkimi i dy figurave kryesore të politikës shqiptare.
“Himni ynë është: Rama në burg, Berisha në burg!”, u shpreh ai mes brohoritjeve të protestuesve.
Më tej, Murataj bëri edhe një deklaratë lidhur me zhvillimet në Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se në Kongresin Amerikan ka nisur një procedurë për hetimin e qeverisë shqiptare.
“Të dashur motra e vëllezër, unë quhem Erion Murataj. Kam disa lajme për të dhënë. E para është se këta janë ndrydhur keq. E dyta është se një orë më parë, në Kongresin Amerikan, një kërkesë e kongresmenëve për hetim të qeverisë shqiptare dhe Edi Ramës është sekretuar për hetim të narkotrafikut ndërkombëtar!”, deklaroi ai.
Në vijim të fjalës, Murataj reagoi edhe ndaj etiketimeve që, sipas protestuesve, u janë bërë gjatë javëve të fundit.
“Ka shumë ditë që na kanë quajtur agjentë serbë, grekë, na kanë quajtur rusë, po pres të na quajnë afrikanë. Ky shesh sot, kur kanë kaluar më shumë se një muaj, përfaqëson lirinë dhe demokracinë. Dhe e dini pse? Sepse Rama në zyrë në Kryeministri dhe Sali Berisha atje, janë për të vrarë demokracinë dhe lirinë, ndërsa ne jemi këtu që të rrojë Shqipëria!”, tha ai.
Protesta para Kryeministrisë vijon me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, ndryshimin e sistemit politik dhe mbajtjen e përgjegjësisë për drejtuesit e klasës politike.
Lini një Përgjigje