TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Qershor 2026, 16:14

Mes tensioneve dhe frikës për atentate, Vuçiç mbërrin në Malin e Zi; bojkoton Kaja Kallas

Shkruar nga Pamfleti
Mes tensioneve dhe frikës për atentate, Vuçiç
Aleksandar Vuçiç

Presidenti serb do të marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, ndërsa tensionet mes Beogradit dhe Podgoricës janë rritur pas kthimit të një grupi shtetasish serbë nga autoritetet malazeze.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka mbërritur në Mal të Zi. Ai ka zbritur me avion në aeroportin e Tivatit.

Mediat malazeze raportuan se Vuçiç do t’u drejtohet mediave nga Tivati në orën 18:00, por nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga kabineti i tij dhe as nuk dihet saktësisht se ku do të mbahet konferenca për shtyp.

Vuçiç konfirmoi më herët gjatë ditës se do të udhëtojë në Mal të Zi për Samitin BE–Ballkani Perëndimor, duke theksuar se është e rëndësishme që ai të shkojë dhe të përfaqësojë Serbinë pavarësisht paralajmërimeve të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) që të mos udhëtojë dhe se jeta e tij është e rrezikuar.

Kam marrë një njoftim me shkrim nga BIA dhe e kam lexuar. Nuk kam folur për këtë me Antonio Costan. Po shkoj atje, sepse është shumë e rëndësishme që të përfaqësoj Serbinë”, tha më herët gjatë ditës Vuçiç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

BIA publikoi të mërkurën në mbrëmje një njoftim ku thuhej se Vuçiç ishte paralajmëruar të mos udhëtonte në Mal të Zi dhe se atje jeta e tij ishte në rrezik, pasi sipas pretendimeve në Mal të Zi ndodhet kreu i “Klanit Kavac”, Radoje Zvicer.

Këtij njoftimi të BIA-s i parapriu vendimi i autoriteteve malazeze për të kthyer nga Tivati rreth 90 shtetas të Serbisë që kishin mbërritur me një fluturim çarter të Air Serbia.

Policia malazeze njoftoi se te këta persona u gjetën pankarta me mbishkrimin “Serbia fiton” dhe pajisje komunikimi. Mediat i lidhën personat e mbërritur me këtë fluturim me sulmet ndaj studentëve që ndodhën vitin e kaluar.

Përgjigjja e autoriteteve serbe ishte ndalimi i shtetasve malazezë në pikat kufitare me Serbinë dhe ndalimi i hyrjes në vend për disa persona nga Mali i Zi.

Paralajmërimet për sigurinë e presidentit serb pasuan një incident të ndodhur të mërkurën, kur një fluturim çarter nga Beogradi me 87 pasagjerë u kthye nga Tivati në Serbi. Policia malazeze dhe Agjencia Kombëtare e Sigurisë e vlerësuan fluturimin si rrezik për sigurinë.

Portali malazez Vijesti raportoi se shumica e shtetasve serbë të kthyer kanë precedentë penalë dhe prej vitesh përmenden në mediat serbe si persona të ngarkuar me “detyra të veçanta nga regjimi i SNS-së”. Sipas raportimit, qëllimi i tyre në Mal të Zi mbetet i paqartë.

Mbrëmjen e së mërkurës, disa përfaqësues të partisë në pushtet në Serbi i bënë thirrje publike Vuçiçit të mos udhëtojë në Mal të Zi. Megjithatë, gjatë konferencës së sotme, ai konfirmoi pjesëmarrjen në samit, duke deklaruar se do të “thotë gjithçka që ka për të thënë ballë për ballë”, duke iu referuar autoriteteve malazeze.

Ndërkohë sipas mediave serbe, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Callas, ka anuluar pjesëmarrjen. 

"Përfaqësuesja e Lartë Kallas u sëmur dhe nuk mundi të udhëtonte sot. Përfaqësuesja e Lartë pendohet që nuk mori pjesë në Samit, po punon nga shtëpia dhe pritet të kthehet në zyrë brenda pak ditësh", tha ndihmësja e saj.

Përveç pjesëmarrjes në samit, Kalas ishte planifikuar gjithashtu të fliste me të rinj nga e gjithë rajoni dhe Evropa në Budva.

vucic mal te zi

Lini një Përgjigje