TAGS-AT E JAVËS

Forum 4 Qershor 2026, 19:53

Unë jam pro protestës!

Shkruar nga Myslim Murrizi
Unë jam pro protestës!
Myslim Murrizi

Nëse kjo protestë nuk bëhet lëvizje e qartë politike dhe nuk formëzohet në formacion politik brenda 5-10 ditëve, atëherë do të shuhet si flakë kashte dhe përfitues realë do të jenë pazarxhinjtë e përhershëm ose një grusht vemjesh dhe jo qytetarët.

Çdo protestë i bën mirë vendit dhe shoqërisë kur ngrihet kundër pushtetit, i kujdo partie qoftë pushteti.

Jam kundër çdo deklarate publike të kujtdo përfaqësuesi politik të PD-së, opozitës, që është kundër protestës e aq më shumë kundër argumenteve shterpë se jemi kundër protestës se protestën e organizon Sorosi, kur në kryesi, grup parlamentar dhe këshill kombëtar ka plot çirakë e këlyshë të Sorosit.

Sorosi nuk "luftohet" me deklarata apo konferenca shtypi nga njëra anë dhe duke mbajtur në krye shërbëtorë të financuar nga paratë e tij apo këlyshë të Sorosit në anën tjetër.

Protestat në çdo vend të botës janë ose politike ose sindikaliste.

Protestë mikse nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë, pavarësisht kamuflimit që mund të përpiqen ideatorët apo organizatorët të paraqesin në dukje.

Nëse kjo protestë është sindikaliste, pra është një mllef i akumuluar qytetar ndaj të gjitha zullumeve të qeverisë dhe pushtetit, atëherë nuk duhet kurrsesi të ketë thirrje përjashtuese për çdo qytetar apo politikan që mbështet apo merr pjesë në protestë.

Protestat që vijnë si pasojë e rebelimit shpirtëror qytetar ndaj një padrejtësie me ligj apo pa ligj të qeverisë ndaj një qytetari apo grupi qytetarësh nuk duhet të kopjojnë kurrë turmat komuniste në mentalitet bolshevik me thirrje histerike "burg, burg", se në burg të fut gjykata, jo turma, por duhet të kërkojnë anulimin e ligjit ose dorëheqje të asaj qeverie që e ka bërë këtë padrejtësi.

Protestat politike nuk duhet të kenë fare siklet të deklarohen qartazi politikisht dhe ideuesit apo organizatorët e kësaj proteste nuk kanë pse rrinë si vemje mes "turmës", por të dalin hapur në krye dhe sa më shpejt këtë protestë ta kthejnë në lëvizje dhe lëvizjen në parti politike për të përmbysur pushtetin dhe opozitën e sotme, duke u bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen kundër establishmentit politik 36-vjeçar.

Të kërkojnë me çdo rrugë demokratike, ku më e mira është protesta e pandalshme, zgjedhje të parakohshme dhe të kërkojnë votat e qytetarëve për të ndryshuar politikën 36-vjeçare që për fat të keq ka pasur një dakordësi mes vetes për të ruajtur këtë gjendje dhe këtë elitë politike.

Të gjitha deklaratat e tjera se dalim në protestë por nuk bëjmë politikë, atëherë kujtdo mund t’i lindë e drejta të dyshojë se kjo është një "protestë" e porositur.

Nëse kjo protestë nuk bëhet lëvizje e qartë politike dhe nuk formëzohet në formacion politik brenda 5-10 ditëve, atëherë do të shuhet si flakë kashte dhe përfitues realë do të jenë pazarxhinjtë e përhershëm ose një grusht vemjesh dhe jo qytetarët.

Ndaj jepini drejtimin që duhet kësaj proteste pa hipokrizi, pa populizëm fallco dhe pa "heronj" të heshtur imagjinarë nëse keni këllqe, se Shqipëria ka shumë nevojë për një forcë politike që të ketë si shtyllë kryesore të filozofisë së saj urrejtjen dhe mllefin qytetar 36-vjeçar ndaj politikës në tërësi.

Pastaj vota e qytetarëve i jep hakun gjithsecilit.

Asnjë protestë, sado e madhe, e gjatë apo e vrullshme që të jetë, nëse nuk përkthehet në votë, nuk ka asnjë vlerë për vendin dhe për shoqërinë.

Të kesh votuar më 11 maj 2025 për Ramën, të dalësh në maj-qershor 2026 në protestë kundër Ramës dhe të votosh prapë në maj 2027 për Ramën, atëherë përse dilni në protestë???

Kjo do të thotë "protestojmë" kundër qeverisë, por prapë votojmë për qeverinë.

Nëse keni dalë kundër PD-së dhe Berishës apo kundër opozitës, shumë mirë keni bërë, por që të ndryshoni opozitën duke mbajtur në kurriz të njëjtin pushtet e qeveri, edhe kjo bëhet vetëm me votë.

Prandaj mos humbni kohë fare, por shndërroni protestën në parti dhe partinë në mbrojtëse të rebelimit shpirtëror të çdo qytetari, se ndryshe kjo protestë do të harrohet si ajo e studentëve në dhjetor 2018, ajo kundër armëve kimike apo e Teatrit.

Jam me shpirt me çdo protestë e çdo protestues, kudo që të jetë, në Tiranë, në Rrjoll e Zvernec dhe për çfarëdo motivi që të jetë.

myslym murrizi protesta

Lini një Përgjigje