Moska mund të shpresojë që SHBA ta detyrojë Poloninë të negociojë, në vend që të reagojë ushtarakisht dhe të hapë zjarr ndaj ushtarëve rusë ose bjellorusë...
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Poloninë se Moska po planifikon një provokim të armatosur kundër saj me qëllim që të testojë "vendosmërinë e NATO-s", sipas një raporti të gazetës britanike The Telegraph.
Sipas asaj që Uashingtoni thuhet se ka përfshirë në paralajmërimin e tij, sulmi rus mund të kryhet me raketa ose dronë kundër infrastrukturës jetike të Polonisë, ose edhe përmes depërtimit të ushtarëve rusë përtej kufirit në territorin polak, që është njëkohësisht territor i NATO-s.
Burime pranë presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki, i thanë medias polake Onet se qëllimi i një sulmi të tillë të mundshëm nga Moska, i cili mund të ndodhë brenda pak muajsh, do të ishte krijimi i tensioneve dhe ushtrimi i presionit mbi aleatët perëndimorë të Ukrainës, në mënyrë që ata të pezullojnë ndihmën ushtarake dhe ekonomike për Kievin.
"SHBA e informon sistematikisht Poloninë për çdo plan të ri rus për një sulm konvencional ndaj krahut lindor të NATO-s, ku Polonia nuk përjashtohet në asnjë rast", tha një burim pranë presidentit të Polonisë.
Shërbimet e sigurisë së Polonisë kanë pranuar se një sulm konvencional rus, si për shembull një inkursion i kufizuar tokësor, është i mundshëm. Më pas Moska mund të pretendojë se ai ishte një aksident.
Skenarë të tjerë të mundshëm, që mund të shkaktojnë një përshkallëzim të rrezikshëm, përfshijnë sulme me dronë rusë ndaj infrastrukturës, si stacionet e prodhimit të energjisë elektrike, ose sulme ajrore të simuluara që do ta detyronin Poloninë të aktivizonte sistemet e saj të mbrojtjes ajrore. Një burim i shërbimeve sekrete polake tha se, në skenarin më ekstrem, mund të kryhej një "sulm hibrid në zonën kufitare".

Skenarët e një sulmi rus
Një ndërhyrje ushtarake mund të përfshinte ushtarë rusë dhe bjellorusë. Sipas burimeve, Moska mund të përpiqej ta paraqiste atë si një aksident, duke pretenduar se depërtimi ndodhi për shkak të një defekti në sistemet GPS, ose të organizonte një mision të rremë shpëtimi për të rimarrë një helikopter që kishte pësuar avari.
Sipas burimeve, Moska mund të shpresojë që SHBA ta detyrojë Poloninë të negociojë, në vend që të reagojë ushtarakisht dhe të hapë zjarr ndaj ushtarëve rusë ose bjellorusë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, do ta konsideronte fitore një skenar në të cilin forcat ruse do të tërhiqeshin pas negociatave, thanë burimet. Një nga kushtet e mundshme që Rusia mund të vendoste në një proces të tillë negociues do të ishte ndërprerja e ndihmës perëndimore për Ukrainën.
Disa burime nga vendet baltike i thanë gazetës The Telegraph se mundësia e një veprimi provokues nga Rusia kundër njërit prej shteteve baltike mbetet një rrezik serioz. Sipas tyre, një sulm i tillë mund të organizohej nga Kaliningradi, në veri të Polonisë, ku ruhen armë bërthamore ruse.
Moska duket se ka filluar të testojë aftësitë mbrojtëse të NATO-s që prej vitit të kaluar, përmes shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore të Aleancës nga dronë dhe avionë luftarakë.
Një raport i publikuar të enjten nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) arriti në përfundimin se Rusia ka shumë të ngjarë të ketë përdorur anije të të ashtuquajturës "flotë hije" për të lëshuar dronë mbi Evropë. Këta dronë kanë shkaktuar probleme në aviacionin civil duke ndërprerë fluturime, ndërsa njëkohësisht kanë monitoruar instalime ushtarake dhe kanë testuar sistemet e mbrojtjes ajrore të vendeve anëtare të NATO-s.
Raporti regjistroi 144 raste të vëzhgimit të dronëve në të gjithë Evropën gjatë periudhës 2024–2026, përfshirë në shtete anëtare të NATO-s si Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Danimarka. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje