Presidentja Maia Sandu do të konsultohet javën e ardhshme me drejtuesit e partive për emërimin e një Kryeministri të ri, duke theksuar se kursi pro Bashkimit Evropian mbetet i pandryshuar…
Kryeministri i Moldavisë, Alexandru Munteanu, njoftoi të premten dorëheqjen e tij, duke i dhënë fund qeverisë proevropiane që drejtonte që nga nëntori i vitit të kaluar.
Në një postim në Facebook, Munteanu tha se kishte pranuar detyrën me bindjen se mund të kontribuonte në përmirësimin e situatës në vend, por vendosi të largohej kur kuptoi se nuk mund ta ushtronte më mandatin në përputhje me parimet dhe bindjet e tij.
Presidentja Maia Sandu e kishte emëruar atë në postin e kryeministrit në nëntor. Të dy mbështetën politika që synojnë përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Moldavisë në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, qeverisja e Munteanut u shoqërua me një sërë skandalesh në ministri dhe ndërmarrje shtetërore.
Muajin e kaluar, drejtori i agjencisë së sigurisë së aviacionit civil MOLDATSA, Dumitru Vangeli, u shkarkua pasi autoritetet konstatuan se diploma universitare dhe licenca e pilotit ishin të falsifikuara. Të enjten, sekretarja e shtetit në Ministrinë e Bujqësisë, Tatiana Nistorică, u ndalua nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Vangeli i ka mohuar publikisht akuzat, ndërsa Nistorică nuk ka komentuar ende lidhur me rastin.
Pas njoftimit të dorëheqjes, presidentja Sandu deklaroi se pret nga qeveria e ardhshme "më shumë angazhim në marrjen e vendimeve të vështira dhe një prani më të fortë publike për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve".
Ajo hodhi poshtë gjithashtu pretendimin e nënkuptuar nga Munteanu se nuk kishte pasur liri të plotë për të përballuar sfidat e vendit.
"Sugjerimet se ai donte të luftonte abuzimet, por nuk u lejua ta bënte këtë, janë të pavërteta. Kryeministri kishte dorë të lirë për të drejtuar qeverinë sipas gjykimit të tij", tha Sandu.
Presidentja bëri të ditur se javën e ardhshme do të zhvillojë konsultime me drejtuesit e partive politike për emërimin e një kryeministri të ri, i cili do të vazhdojë orientimin proevropian të vendit.
"Rruga e Moldavisë mbetet e pandryshuar: reformat dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian", shkroi ajo në platformën X.
Moldavia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2022. Muajin e kaluar, shtetet anëtare të bllokut votuan për hapjen e grupit të parë të negociatave të anëtarësimit me Kishinaun. Sandu mbetet figura kryesore e kursit proevropian dhe udhëheq kundërshtimin politik ndaj Partisë së Socialistëve, e cila mban qëndrim prorus dhe është aktualisht forca e dytë më e madhe politike në vend.
Lini një Përgjigje