Nisma përbën një test të ri të përpjekjeve evropiane për të zhvendosur kontrollin e migracionit jashtë kufijve të BE-së, pas vitesh pengesash ligjore dhe polemikash politike.
Një grup vendesh të Bashkimit Evropian po shqyrton mundësinë e dërgimit të azilkërkuesve të cilëve u është refuzuar kërkesa për qëndrim në Ruandë dhe Uzbekistan. Këtë e kanë konfirmuar tre diplomatë evropianë, ndërsa blloku evropian po ndërmerr hapa për të transferuar për herë të parë një pjesë të sistemit të kthimit të emigrantëve jashtë territorit të tij.
Planet vijnë pas miratimit të një ligji që u jep shteteve anëtare të BE-së të drejtën të krijojnë qendra në vende jashtë unionit për trajtimin e personave të cilëve u është mohuar e drejta për të qëndruar në BE. Këto struktura, të njohura si “qendra kthimi”, mund të funksionojnë vetëm nëse vendet pritëse respektojnë të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.
Më shumë se gjysma e 27 vendeve anëtare të BE-së kërkuan këtë muaj ndërmarrjen e shpejtë të hapave për krijimin e këtyre qendrave, sipas një letre të siguruar nga POLITICO.
Danimarka, Austria, Greqia, Gjermania dhe Holanda kanë qenë promotorët kryesorë të idesë për trajtimin jashtë territorit evropian të azilkërkuesve të refuzuar.
“Qëllimi ynë është të përfundojmë marrëveshjet e para për krijimin e këtyre strukturave gjatë vitit 2026, në mënyrë që ato të jenë funksionale nga viti 2027,” deklaroi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis para miratimit të ligjit.
Sipas dy diplomatëve të tjerë evropianë, vendet që do të presin këto qendra ende nuk janë përcaktuar dhe procesi politik e diplomatik mbetet në zhvillim.
Pas përpjekjeve të diskutueshme
Këto plane pasojnë një sërë përpjekjesh të debatueshme nga qeveritë evropiane për të zhvendosur menaxhimin e migracionit përtej kufijve të kontinentit.
Plani i Mbretërisë së Bashkuar për dërgimin e emigrantëve në Ruandë u anulua vitin e kaluar pas betejash të gjata ligjore dhe politike. Ndërkohë, qendrat e emigrantëve të ngritura nga Italia në Shqipëri janë përballur vazhdimisht me sfida në gjykata.
Mbështetësit e nismës argumentojnë se rregullat e reja të BE-së mund të kenë sukses aty ku përpjekjet e mëparshme kanë dështuar, pasi krijojnë një bazë ligjore më të qartë për funksionimin e strukturave jashtë territorit të unionit.
Megjithëse qeveritë po shqyrtojnë Ruandën dhe Uzbekistanin si vende të mundshme dhe kjo është konfirmuar edhe në nivel të BE-së, marrëveshjet konkrete do të duhet të negociohen nga secili shtet veçmas.
Komisioni Evropian, i cili nuk ka marrë pjesë në diskutimet për përzgjedhjen e vendeve pritëse, si edhe kryeqytetet e tjera evropiane, duhet të informohen përpara se qendrat të fillojnë funksionimin.
BE-ja ka investuar qindra milionë euro në Ruandë përmes programit të saj Global Gateway, duke njoftuar në vitin 2023 investime në vlerën e 900 milionë eurove. Po ashtu, blloku ka akorduar 119 milionë euro grante për Uzbekistanin.
Edhe Uganda në diskutim
Një tjetër vend që po diskutohet në mënyrë jozyrtare është Uganda, sipas një zyrtari të lartë evropian nga një prej vendeve që mbështesin nismën.
Sipas tij, vende të afërta gjeografikisht me Bashkimin Evropian, si Egjipti dhe Libia, janë përjashtuar për shkak të shqetësimeve se mund të rrisin rrezikun e trafikimit të emigrantëve.
Ministri i Migracionit i Qipros, Nicholas Ioannides, deklaroi para miratimit të ligjit se ideja e përgjithshme është që qendrat të vendosen “ndoshta në Afrikë ose Azi”, por “jo pranë kufijve evropianë”.
Ai theksoi se respektimi i të drejtave të njeriut do të jetë kriteri kryesor për arritjen e marrëveshjeve dhe se BE-ja synon të përfshijë organizata ndërkombëtare, si Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR), për të garantuar respektimin e rregullave.
Kundërshtime dhe kritika
Jean-Nicolas Beuze, përfaqësues i UNHCR-së në Bruksel, deklaroi se Bashkimi Evropian po bie pre e “retorikës populiste” dhe “fakteve alternative” lidhur me migracionin.
Sipas tij, refugjatët rrezikojnë të dërgohen në vende ku mund të përballen me “dëme të parikuperueshme”.
Disa shtete anëtare, përfshirë Francën dhe Spanjën, kanë shprehur rezerva ndaj kësaj skeme.
“Nuk kam parë asnjëherë një qendër kthimi në një vend të tretë që të funksionojë realisht,” deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron në Bruksel javën e kaluar. Nuk jam i sigurt se kjo është ajo që përfaqëson Evropa jonë.”, tha ai.
Eurodeputetja e grupit të Gjelbërve, Mélissa Camara, e cila ishte negociatorja kryesore e grupit të saj për rregullat e reja të migracionit, deklaroi për POLITICO se krijimi i qendrave të kthimit jashtë kufijve të BE-së “shkel vlerat themelore të unionit në lidhje me dinjitetin dhe respektimin e të drejtave themelore”.
“Duke krijuar qendra të tilla në Uzbekistan apo Ruandë, nuk do të kemi asnjë garanci reale që të drejtat e njeriut do të respektohen”, tha ajo.
Çfarë parashikojnë rregullat e reja?
Sipas rregullave të reja të BE-së, të miratuara në Parlamentin Evropian mes thirrjeve të disa eurodeputetëve të djathtë dhe të ekstremit të djathtë për “dërgimin e tyre në shtëpi”, qendrat e kthimit do të strehojnë persona që kanë shteruar të gjitha mundësitë ligjore për të qëndruar në Bashkimin Evropian dhe presin deportimin.
Kjo qasje ndryshon nga planet e mëparshme të Britanisë, Danimarkës dhe Italisë, të cilat synonin kryesisht azilkërkuesit ose emigrantët e sapoardhur.
Përpjekjet e mëparshme kanë hasur vështirësi të konsiderueshme. Qendrat italiane në Shqipëri janë përballur me procese gjyqësore të vazhdueshme, projekti danez me Ruandën nuk ka avancuar, ndërsa skema britanike për Ruandën u braktis pas vitesh sfidash ligjore dhe politike./Përshtati "Pamfleti", nga "Politico"
Lini një Përgjigje