Tensionet në krahun lindor të NATO-s vijojnë të rriten, pasi Rumania njoftoi se Forcat e saj Ajrore kanë rrëzuar një tjetër dron që kishte hyrë pa autorizim në hapësirën ajrore të vendit. Bëhet fjalë për incidentin e tretë të regjistruar brenda tri ditësh, duke shtuar shqetësimet e autoriteteve në Bukuresht për sigurinë përgjatë kufirit, në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon dhe incidentet pranë territorit të Aleancës janë bërë më të shpeshta.
Sipas Ministrisë rumune të Mbrojtjes, droni u zbulua teksa fluturonte në hapësirën ajrore të Rumanisë dhe u neutralizua të dielën në mëngjes nga një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore rumune.
Autoritetet sqaruan se mjeti pa pilot u rrëzua mbi ujërat territoriale rumune, rreth 12 kilometra në verilindje të qytetit Sulina.
“Pilotët tanë rrëzuan një dron të tretë që kishte hyrë në hapësirën ajrore rumune. Në orën 10:13, një pilot rumun me një avion luftarak F-16 neutralizoi mjetin pa pilot”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërkohë, autoritetet rumune po vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën e dronëve. Sipas prokurorëve që kanë analizuar mbetjet e njërit prej mjeteve të rrëzuara më herët, provat paraprake tregojnë se ai mund të jetë një dron i tipit Shahed, model i përdorur nga Rusia në operacionet ushtarake në Ukrainë.
Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, përgëzoi pilotët dhe Forcat Ajrore për reagimin e tyre, duke theksuar se ndërhyrja e shpejtë kontribuoi në mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
????????Our pilots have shot down a third drone that entered Romanian airspace!
— MApN (@MApNRomania) July 26, 2026
This morning at 10:13 a.m., a Romanian pilot flying a Romanian Air Force F-16 fighter jet shot down a third drone that had entered the Romanian airspace.#WeAreNATO pic.twitter.com/nqRJBLojKE
Presidenti rumun, Nicușor Dan, paralajmëroi gjithashtu se Bukureshti do të ndërmarrë hapa diplomatikë ndaj Federatës Ruse, pasi të përfundojnë hetimet për origjinën e dronëve.
“Çdo shkelje e hapësirës ajrore rumune është e papranueshme. Kjo është hapësirë ajrore e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian dhe çdo incident i tillë trajtohet me seriozitetin më të madh, në bashkëpunim me aleatët tanë”, deklaroi ai.
Zhvillimet e fundit kanë bërë që autoritetet rumune të rrisin nivelin e gatishmërisë ushtarake. Duke qenë se Rumania ndan kufirin me Ukrainën, ajo konsiderohet një nga vendet e NATO-s më të ekspozuara ndaj pasojave të konfliktit në rajon.
Ndërkohë, autoritetet në Bukuresht vijojnë të monitorojnë situatën nga afër, në pritje të rezultateve përfundimtare të hetimeve, të cilat pritet të përcaktojnë hapat e ardhshëm si në planin ushtarak, ashtu edhe në atë diplomatik.
Po heton Rumania dhe ne fund do te zbulohet se dronet nisen nga Ukraina