Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u takua të dielën në Uashington me presidentin e Libanit, Joseph Aoun, për të diskutuar zbatimin e kuadrit trepalësh pas dështimit të armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Sipas një deklarate të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, Rubio vlerësoi përpjekjet e qeverisë libaneze, nën drejtimin e presidentit Aoun, për të forcuar sovranitetin e vendit, për të çarmatosur Hezbollahun, për të shpërbërë infrastrukturën e tij ushtarake dhe për të avancuar drejt paqes.
“Sekretari përgëzoi guximin e Qeverisë së Libanit, nën udhëheqjen e Presidentit Aoun, për përpjekjet e tyre të vendosura për të rimarrë sovranitetin e Libanit, për të çarmatosur Hezbollahun dhe për të çmontuar infrastrukturën e tij terroriste, si dhe për të ecur drejt paqes. Sekretari riafirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur zbatimin me sukses të Kornizës Trepalëshe”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
Zyra e presidentit Aoun njoftoi më herët se gjatë kësaj jave në Shtëpinë e Bardhë do të zhvillohet një samit SHBA–Liban. Sipas njoftimeve, memorandumi i mirëkuptimit i arritur muajin e kaluar mes SHBA-së dhe Iranit synonte t'i jepte fund luftimeve në Liban si pjesë e një plani më të gjerë armëpushimi.
Megjithatë, pavarësisht këtij memorandumi dhe armëpushimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja mes Izraelit dhe Libanit, përplasjet ndërmjet forcave izraelite dhe Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Irani, kanë vazhduar.
Gjatë një takimi në Uashington muajin e kaluar, Izraeli dhe Libani arritën gjithashtu një marrëveshje trepalëshe që parashikon tërheqjen e forcave izraelite nga dy zona në jug të Libanit, duke krijuar kushte për vazhdimin e negociatave.
Lini një Përgjigje