
Starmer i ka dhënë një tjetër "goditje" Trumpit duke thënë se "Londra refuzon vijën e ashpër të SHBA ndaj Iranit".
Britania e Madhe po mban një qëndrim distancues ndaj përshkallëzimit të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke u fokusuar te diplomacia dhe masat ekonomike, në vend të përfshirjes ushtarake.
Sipas deklarimeve të zyrtarëve britanikë, prioritet mbetet zgjidhja diplomatike e krizës dhe shmangia e një angazhimi të drejtpërdrejtë në luftime.
Ky qëndrim u rikonfirmua gjatë një videokonference të zhvilluar së fundmi, me pjesëmarrjen e dhjetëra vendeve, nën drejtimin e kryeministrit Keir Starmer dhe presidentit francez Emmanuel Macron.
Diskutimet janë përqendruar te garantimi i lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe mbështetja për operacionet e pastrimit të minave detare, në momentin kur kushtet e sigurisë ta lejojnë. Gjithashtu, është theksuar rëndësia e mbështetjes së armëpushimit dhe mbrojtjes së anijeve tregtare në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare.
Sipas analizave dhe burimeve diplomatike, Britania dhe Franca po shtyjnë për krijimin e një misioni shumëkombësh me karakter mbrojtës, që do të aktivizohej pas përfundimit të luftimeve. Megjithatë, detajet mbi strukturën dhe mandatin e këtij misioni mbeten ende të paqarta.
Ndërkohë, Londra ka refuzuar të marrë pjesë në bllokadën detare të udhëhequr nga SHBA ndaj Iranit, duke e konsideruar një hap të tillë si përfshirje të drejtpërdrejtë në konflikt.
Në praktikë, roli i Britanisë kufizohet në masa mbrojtëse, përfshirë sigurimin e bazave dhe mbështetjen e aleatëve në rajon, pa u përfshirë në operacione sulmuese.
Lini një Përgjigje