TAGS-AT E JAVËS

Sport14 Korrik 2026, 17:53

Liga e Konferencës/ Vllaznia kërkon biletën për raundin e dytë, Edi Martini ndryshon gjithçka për ndeshjen e kthimit

Shkruar nga Pamfleti
Liga e Konferencës/ Vllaznia kërkon biletën për raundin e
Skuadra e Vllaznisë

Vllaznia është gati për një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij fillimsezoni. Skuadra shkodrane do të përballet nesër me Malishevën në takimin e kthimit të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës, me objektivin e qartë për të siguruar kalimin në turin e dytë.

Sfida do të luhet në stadiumin "Zahir Pajaziti" në Podujevë, duke nisur nga ora 16:30. Kuqeblutë udhëtojnë drejt Kosovës me avantazhin e fitores 2-1 të marrë në "Loro Boriçi", ku përmbysën rezultatin falë golave të Qatos dhe Emiljano Mustës, pasi kishin pësuar gol në minutat e para.

Megjithatë, brenda kampit shkodran nuk ka vend për vetëkënaqësi. Stafi teknik dhe futbollistët janë të vetëdijshëm se kualifikimi do të vendoset vetëm pas 90 minutave të kthimit dhe se Malisheva do të bëjë gjithçka për të përmbysur disavantazhin.

Për këtë arsye, trajneri Edi Martini ka përgatitur me kujdes çdo detaj. Ndryshe nga zakonisht, seanca e fundit stërvitore është zhvilluar në mesditë, në të njëjtin orar kur do të luhet edhe ndeshja, me synimin që lojtarët të ambientohen sa më mirë me kushtet e sfidës.

Gjatë përgatitjeve nuk kanë munguar ushtrimet me intensitet të lartë, ndërsa një rëndësi e veçantë i është kushtuar organizimit taktik. Martini ka kërkuar zbatim maksimal të detyrave si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese, duke punuar mbi lëvizjet dhe skemat që skuadra duhet të aplikojë në situata të ndryshme të lojës.

Objektivi është që Vllaznia të shfaqet e balancuar, të shmangë gabimet dhe të administrojë në mënyrën më të mirë avantazhin e ndeshjes së parë. Edhe pse optimizmi nuk mungon, fokusi mbetet maksimal, pasi vetëm një paraqitje serioze dhe e disiplinuar mund t'u sigurojë kuqebluve vazhdimin e aventurës europiane.

Një kualifikim në raundin e dytë do të ishte një tjetër rezultat pozitiv për futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe do t'i jepte Vllaznisë vazhdimësinë e ëndërruar në Ligën e Konferencës.

vllaznia malisheva liga e konferencës

Lini një Përgjigje