Egnatia është gati për sfidën vendimtare të raundit të parë kualifikues të Champions League. Kampionët e Shqipërisë do të presin mbrëmjen e së mërkurës skuadrën moldave Petroçub në "Arena Egnatia", në një takim që nis në orën 21:00 dhe do të vendosë ekipin që do të vazhdojë më tej në kompeticionin europian.
Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede vjen në këtë përballje pas barazimit 1-1 të marrë në Moldavi, një rezultat që lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit. Edhe pse u ndëshkuan që në minutën e parë, rrogozhinasit reaguan menjëherë dhe rikthyen ekuilibrat falë golit të Altin Kryeziut.
Egnatia tregoi karakter në transfertë, pasi arriti të mbronte rezultatin edhe pse zhvilloi të gjithë pjesën e dytë me një futbollist më pak në fushë. Barazimi i fituar në këto rrethana ka rritur besimin në kampin kuqejeshil përpara duelit vendimntar.
Tani, gjithçka do të vendoset në Rrogozhinë. Me mbështetjen e tifozëve të saj, Egnatia synon të sigurojë fitoren dhe të hedhë një tjetër hap drejt fazës së ardhshme të Champions League.
Një kualifikim do të përfaqësonte jo vetëm një sukses të madh për klubin rrogozhinas, por edhe një rezultat me peshë për futbollin shqiptar në arenën europiane.
Lini një Përgjigje