TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Mars 2026, 17:43

Tensionet në rritje/ Mbyllet ambasada amerikane në Bejrut, Katari i bashkohet luftës; ndizet alarmi në Liban

Shkruar nga Pamfleti
Tensionet në rritje/ Mbyllet ambasada amerikane në Bejrut, Katari i
Nuk ndalet lufta

Konflikti në Lindjen e Mesme po thellohet me zhvillime të reja që prekin drejtpërdrejt misionet diplomatike dhe disa shtete të rajonit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Riad është goditur sërish nga një sulm që ka shkaktuar shembjen e pjesshme të çatisë së ndërtesës, raportoi Ëall Street Journal duke cituar burime të informuara. Personeli diplomatik, i cili ishte paralajmëruar më herët për rrezikun, mbetet i strehuar në ambiente të sigurta.

Në të njëjtën kohë, SHBA njoftoi mbylljen e ambasadës së saj në Bejrut “deri në një njoftim të dytë”, për shkak të tensioneve në rritje në rajon, sipas një deklarate të publikuar në rrjetin X nga përfaqësia diplomatike.

Ndërkohë, sipas Al Jazeera, aviacioni izraelit po godet qytetin Sidon në jug të Libanit. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kishin njoftuar më herët një sulm ndaj një platforme raketore në Liban, e cila sipas tyre përdorej për të goditur Lartësitë e Golanit. Autoritetet izraelite kanë lëshuar gjithashtu urdhër evakuimi për disa ndërtesa në Sidon, duke paralajmëruar një operacion të afërt kundër Hezbollah-ut.

Raportime të mediave greke sugjerojnë se Katari ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave në Iran dhe se Arabia Saudite mund të pasojë me veprime të ngjashme. Nëse konfirmohen, këto zhvillime do të përbënin një zgjerim të drejtpërdrejtë të konfliktit përtej përplasjes Izrael–Iran.

Në këtë klimë tensioni, Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar dërgimin e helikopterëve me kapacitete kundër dronëve dhe të destrojerit HMS Dragon në Qipro. Kryeministri britanik Keir Starmer e informoi presidentin e Qipros, Nikos Christodoulides, për vendimin gjatë një bisede telefonike.

Zhvillimet e fundit tregojnë një rritje të rrezikut për përfshirje më të gjerë rajonale, ndërsa sulmet, kundërsulmet dhe masat e sigurisë po intensifikohen në disa fronte njëkohësisht.

liban lufte

Lini një Përgjigje