Autoritetet raportojnë 971 të plagosur, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë operacionet mes dhjetëra pasgoditjeve dhe dëmeve të mëdha në ndërtesa…
Të paktën 164 persona kanë humbur jetën dhe 971 të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve që goditën Venezuelën, bëri të ditur në orët e para të së enjtes presidentja në detyrë e vendit, Delcy Rodríguez.
Sipas autoriteteve, bilanci i viktimave pritet të rritet, pasi shumë ndërtesa janë shembur ose kanë pësuar dëme të rënda dhe operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë. Rodríguez tha se, që nga dy tërmetet kryesore, janë regjistruar të paktën 30 pasgoditje.
Në një intervistë për transmetuesin shtetëror të Venezuelës, Rodríguez deklaroi se qeveria po bashkëpunon me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për dërgimin e ekipeve të shpëtimit. Ajo shtoi se po zhvillohen bisedime edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar për krijimin e një fondi fillestar prej 200 milionë dollarësh për rindërtimin e vendit.
Presidentja në detyrë u bëri gjithashtu thirrje kompanive private të vënë në dispozicion makineri të rënda për të mbështetur operacionet e shpëtimit.
Rodríguez u kërkoi qytetarëve të ruajnë qetësinë, të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos largohen nga banesat e tyre nëse ndërtesat konsiderohen të sigurta. Ajo njoftoi gjithashtu se në orën 19:00, sipas kohës lokale, në mbarë vendin do të mbahet një lutje kombëtare, e hapur për të gjitha besimet fetare.
Lini një Përgjigje