TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Korrik 2026, 08:57

Videoja që tronditi Meksikën, gazetarja gjendet e vrarë; 8 të arrestuar (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Videoja që tronditi Meksikën, gazetarja gjendet e vrarë; 8
Ilustrim

Tetë persona janë arrestuar për rrëmbimin dhe vrasjen e gazetares, mes tyre katër policë lokalë të dyshuar për bashkëpunim me një organizatë kriminale…

Autoritetet meksikane konfirmuan gjetjen e mbetjeve mortore të gazetares Roxana Guzmán, një muaj pasi ajo u rrëmbye nga banesa e saj në një ngjarje që tronditi opinionin publik. Momenti i hyrjes së armatosur në shtëpi ishte regjistruar nga kamerat dhe pamjet u shpërndanë gjerësisht në internet.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme të shtetit Veracruz, 8 persona janë arrestuar si të dyshuar për përfshirje në rrëmbimin dhe vrasjen e gazetares. Mes tyre ndodhen edhe katër efektivë të policisë bashkiake të Ixhuatlán del Sureste, të akuzuar se kanë ofruar mbështetje logjistike, furnizime dhe burime për një organizatë kriminale.

Rrëmbimi ndodhi më 2 qershor në qytetin Nanchital, në jug të Meksikës. Sipas pamjeve të regjistruara brenda banesës, persona të armatosur me fytyra të mbuluara thyen derën prej xhami me një vare dhe hynë me forcë në shtëpi. Në video dëgjohet një burrë, i identifikuar si vëllai i gazetares, duke thirrur: “ka një fëmijë, ka një foshnjë, qetësohuni!”.

Pasi hynë në banesë, autorët drejtuan armët ndaj personave që ndodheshin brenda dhe i urdhëruan të shtriheshin në dysheme. Pak çaste më vonë, njëri prej tyre mori telefonin me të cilin po regjistrohej ngjarja dhe videoja u ndërpre.

Prokuroria nuk bëri të ditur vendndodhjen e saktë ku u gjetën mbetjet mortore. Megjithatë, mediat lokale raportojnë se ato u zbuluan në një fermë në jug të shtetit Veracruz dhe më pas u identifikuan si të Roxana Guzmán. Sipas autoriteteve, tre nga të arrestuarit dyshohet se morën pjesë drejtpërdrejt në rrëmbimin e saj.

Roxana Guzmán ishte drejtoreshë e medias lokale Pulso Informativo del Sureste, e cila raportonte për çështje të aktualitetit lokal, përfshirë rastet e personave të zhdukur, aksidentet rrugore, si edhe ngjarje sociale dhe sportive.

Pas konfirmimit të vdekjes së saj, kolegët e përshkruan në një reagim në rrjetet sociale si një gazetare "në shërbim të së vërtetës". Sipas mediave lokale, ajo ishte larguar nga Veracruz në vitin 2017, pas vrasjes së bashkëshortit të saj.

Organizata Article 19, e cila mbron lirinë e shtypit, thekson se që nga viti 2000 janë vrarë 34 gazetarë vetëm në shtetin Veracruz. Roxana Guzmán është gazetarja e tretë që humb jetën në Meksikë që nga fillimi i këtij viti.

Komisioni Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut ka deklaruar vazhdimisht se dhuna ndaj gazetarëve minon lirinë e shprehjes dhe forcon klimën e frikës dhe vetëcensurës në vend.

 

meksike gazetare vrasja

Lini një Përgjigje