Arijon Ibrahimoviç mund të vijojë aventurën e tij me fanellën e Bajernit të Mynihut. Talenti shqiptar ka marrë sinjale pozitive për të ardhmen, pasi trajneri Vinsent Kompani e konsideron pjesë të projektit të skuadrës për sezonet në vijim.
Sipas raportimeve të "Transfermarkt", pas një bisede mes palëve, drejtuesit e klubit bavarez i kanë paraqitur lojtarit një ofertë për rinovimin e kontratës deri në verën e vitit 2028.
Në rast se 20-vjeçari pranon ofertën, ai pritet të ketë më shumë hapësira në ekipin e parë, ku do të ketë mundësinë të luftojë për një vend në formacion. Në të kundërt, Bajerni mund të detyrohet ta nxjerrë në shitje gjatë kësaj vere, duke qenë se kontrata aktuale skadon në fund të sezonit të ardhshëm.
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur mesfushori është huazuar për të fituar eksperiencë, këtë herë drejtuesit e klubit kanë vendosur ta mbajnë në Mynih. Besimi i Vinsent Kompani shihet si një sinjal i qartë se Ibrahimoviçi mund të ketë një rol më të rëndësishëm në planet e kampionëve të Gjermanisë gjatë sezonit të ri.
Lini një Përgjigje