Gjykata e Tiranës ka lënë në burg ditën e sotme 5 të arrestuarit për skemën e mashtrimit me Call Center.
Me mijëra qytetarëve europianë, kryesisht austriakë, kanë humbur në të paktën 3 vite në call center-at mashtrues në kryeqytetin shqiptar mbi 50 milionë euro.
Vetëm për një prej të arrestuarve në flagrancë, Kristjan Buda menaxher i sallës së Call Center, Gjykata caktoi masën e arrestit me burg. Për 4 të tjerë, Benard Biba, Arber Kalaja, Kleidi Dyrma dhe Eno Hana, u caktua masa e arrestit në shtëpi.
Paratë që operatorë të ndryshëm ia vidhnin duke u hequr si konsulentë financiare për investime në platformën "imctrading", përfundonin në llogaritë e Tedi Agastrës dhe Mateo Hoxhës. Ata i transferonin në adresa të tjera kripto, për të humbur gjurmët.
Tedi Agastra, është hetuar më parë nga Prokuroria e Tiranës, në 2024-ën, në të cilën siç thuhet në dosje, është dokumentuar se në bashkëpunim me babanë (i cili ndodhet në arrest shtëpie për procedimin e mëparshëm), në zyrën e tyre të këmbimit valutor "Alba Forex", këmbenin kriptovaluta, në para. Në këtë pikë, nga muaji dhjetor i vitit 2024, punon edhe Mateo Hoxha (i arrestuar në operacionin e së hënës (13 prill 2026).
Ishte një qytetare austriake e cila kishte humbur para në call center-a, e cila zbuloi nga një kompani shkëmbimi kriptomonedhash, se transaksionet e saj lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me dy shqiptarët, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra.
Tedi Agastra dhe Mateo Hoxha u lanë në masë arresti nga Gjykata e Tiranës. Bashkë me ta, dhe 3 të tjerë, Eduard Dalla, 48 vjeç, Ledio Toçi 33 vjeç dhe Xhoel Mekolli 29 vjeç.
Për financieren e call centerit të zbuluar pranë kopshtit zoologjik në Tiranë, Aida Vokli u la në fuqi masa ndalim i daljes jashtë vendit dhe detyrim paraqitje. Ajo është partnere me IT kryesor të këtij rrjeti, Ledio Toçi.
Sipas prokurorisë, i arrestuari Eduard Dalla, lidhte kontrata interneti në emër të kompanive të tij fiktive në QKB, dhe shërbente si ndërmjetës midis call center dhe ofruesve të ndryshëm të shërbimit të internetit, për të vështirësuar identifikimin e tyre nëpërmjet IP.
Në kërkim vijojnë Marsel Lami 29 vjeç dhe Xhoni Hitaj, 31 vjeç. Ata dyshohet se janë administratorët e call centerve, të cilët në QKB rezultojnë me disa biznese. Por sipas hetuesve, ato janë fiktive, si në aktivitet ashtu edhe në adresa, pasi në të vërtetë ushtrohet veprimtaria e zhvatjes së të huajve përmes qindra operatorëve të punësuar. Vendndodhjet e 3 subjekteve të goditura nga Prokuroria e Tiranës të hënën (13 prill), në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe policinë, u zbuluan falë gjurmimit të disa punonjësve me pajisjen IMSI Catcher.
Call centerat e goditur, funksionin në gjermanisht, italisht dhe anglisht, dhe kishin në shënjestër personat e mashtruar më parë. Ata i premtonin se nëse depozitonin 500 euro, do i rekuperonin paratë që kishin humbur. Operatorët që arrinin të merrnin këtë shumë fillestare, e kishin pagën 800 euro, të cilën një pjesë e merrnin në dorë dhe pjesën tjetër në bankë.
Masat e sigurisë:
1-Kristjan Buda menaxher i sallës së Call Center, “arrest në burg”
2-Benard Biba “arrest në shtëpi”
3-Arber Kalaja “arrest në shtëpi”
4-Kleidi Dyrma “arrest në shtëpi”
5-Eno Hana “arrest në shtëpi”
Ndalim i daljes jashtë vendit dhe detyrim paraqitje:
1-Ema Taipi
2-Kristjana Shara
Lini një Përgjigje