Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka rikthyer në vëmendje mundësinë që Kupa e Botës 2030, e cila do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, me ndeshje hapëse edhe në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, të zhvillohet me 64 kombëtare, pra 16 më shumë se 48 ekipet që do të marrin pjesë në Botërorin e vitit 2026.
Në një intervistë për median zvicerane Blue Sport, Infantino tha se ideja nuk është braktisur dhe do të diskutohet pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.
"Botërori me 64 skuadra është një çështje që do të analizohet pas këtij Botërori dhe do të diskutohet në organet drejtuese të FIFA-s," deklaroi Infantino.
Presidenti i FIFA-s u shpreh se nuk e kundërshton një zgjerim të mëtejshëm të turneut, duke argumentuar se Kupa e Botës duhet të përfaqësojë të gjitha kontinentet dhe t'u japë mundësi sa më shumë vendeve të konkurrojnë.
"Kur organizohet një Kupë Bote, ajo organizohet për të gjithë botën dhe për të gjitha kontinentet. Shumë shtete ëndërrojnë të marrin pjesë në një Botëror, ndërsa cilësia e futbollit vazhdon të përmirësohet. Nëse vendeve më të vogla u mohohet mundësia për t'u kualifikuar, atëherë u mohohet edhe mundësia për t'u zhvilluar," shtoi ai.
Ideja për një Botëror me 64 skuadra u propozua fillimisht në mars të vitit 2025 nga Federata Uruguaiane e Futbollit. Më pas ajo u mbështet nga presidenti i CONMEBOL-it, Alejandro Domínguez, i cili theksoi se zgjerimi do të vlente vetëm për edicionin e vitit 2030, si një mënyrë për të shënuar 100-vjetorin e Kupës së Botës, turneu i parë i së cilës u zhvillua në Uruguai në vitin 1930.
Vendimi përfundimtar pritet të diskutohet pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Ekzekutiv të FIFA-s. Nëse miratohet, zgjerimi në 64 ekipe do të përbënte një tjetër ndryshim të madh në historinë e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Lini një Përgjigje