
Dhimitër Anagnosti nuk ishte vetëm një regjisor, por ishte arkitekt dhe poet i emocioneve, mjeshtër i ndjeshmërisë dhe i përfytyrimit artistik.
(Në kuadrin e 90-vjetorit të lindjes së Kinoregjisorit të Madh)
Kur flasim për kinemanë shqiptare, padyshim mendja të shkon te një emër i madh si Dhimitër Anagnosti, i cili nuk është thjesht një referencë e zakonshme në kronikën e artit, por një shenjë e përjetshme, një dritë që ndriçon rrugën e shprehjes artistike dhe të mendimit filozofik.
Veprat e tij nuk janë thjesht filma artistikë dhe dokumentarë, por më së shumti janë një univers i hapur, të ngarkuar me heshtje, me letërsi dhe reflektime që rrjedhin thellë - thellë nga jeta e përditshme shqiptare, që buron nga një perceptim universal i shpirtit njerëzor.
E gjithë krijimtaria dhe kontributi i Tij është një fushë shumë e gjerë dhe komplekse, kaq e pasur dhe e pa shfrytëzuar sa dhe si duhet.
Ajo është e ndërtuar mbi një doktrinë filozofike të gjallë, që krijon një kinema ku çdo skenë ka një peshë të thellë emocionale dhe çdo portret njerëzor është një portë për të kuptuar brendësinë e njeriut.
Ai nuk filmoi vetëm ngjarje, por së pari, dokumentoi dhe arkivoi shpirtin që lëviz brenda tyre, dritën që ndriçon gjithçka, heshtjen që flet më shumë se çdo dialog. Çdo detaj, çdo shenjë, çdo heshtje ka kuptim të dyfishtë, që na tregon dhe na fton të reflektojmë.
Studimet e antropologjisë, sociologjisë, psikologjisë, estetikës kritikës dhe historisë së artit pamor kinematografik do të mbeten të mangëta pa referencën e tij.
Dhimitër Anagnosti nuk ishte vetëm një regjisor, por pa frikë mund të themi se Ai ishte arkitekt dhe një poet i emocioneve, mjeshtër i ndjeshmërisë dhe i përfytyrimit artistik.
Në një mënyrë që kujton Fellini-n, ai kap thelbin e jetës, por gjithmonë duke e kthyer atë në një vizion shqiptar të veçantë, të pasur me traditë, përjetime dhe reflektime humane.
Çdo film i tij është një udhëtim i brendshëm, një ftesë për të kuptuar botën njerëzore në mënyrën më të ndjeshme.
Anagnosti na mësoi se kinemaja nuk është vetëm një pasqyrë e ngjarjeve, por së pari është një pasqyrë e shpirtit; se çdo histori, çdo portret dhe çdo skenë ka forcën të na flasë për diçka më të madhe, për një kuptim që shpesh fshihet pas rutinës dhe heshtjes së përditshme.
Trashëgimia e tij nuk është vetëm artistike, por edhe filozofike. Ajo i fton brezat e ardhshëm të artistëve shqiptarë të guxojnë, të shohin, të ndiejnë dhe të krijojnë me intensitet dhe ndershmëri.
Në çdo kornizë të tij, lexuesi dhe shikuesi gjen një kombinim të rrallë të humanizmit, ndjeshmërisë dhe vizionit artistik që nuk mund të harrohet.
Faleminderit, Mjeshtër, për gjithçka që na dhurove. Mirënjohja jonë është e pafund, por veprat e tua që do të mbeten përjetësisht të gjalla, një dritë që nuk shuhet, një udhëkryq për të kuptuar më mirë jo vetëm artin, por edhe shpirtin shqiptar.
Lini një Përgjigje