TAGS-AT E JAVËS

Forum 5 Shkurt 2026, 10:05

Hipokriti Robert Gajda, i verbër ndaj diskriminimit real, i ndjeshëm ndaj atij televiziv?

Shkruar nga Arben Llangozi
Hipokriti Robert Gajda, i verbër ndaj diskriminimit real, i ndjeshëm
Hipokriti Robert Gajda, i verbër ndaj diskriminimit real, i ndjeshëm ndaj atij televiziv?

Robert Gajda nuk e sheh diskriminimin ekonomik që i dënon të varfrit të jetojnë pa dinjitet. Nuk e sheh diskriminimin institucional që vjen nga vetë shteti. Nuk e sheh policin që tërheq zvarr qytetarin. Nuk e sheh pensionistin që poshtërohet. Nuk e sheh të sëmurin që nuk përballon ilaçet. Por Robert Gajda sheh Big Brother-in.

Në Shqipëri, diskriminimi nuk është më problem shoqëror. Është politikë e heshtur shtetërore. Dhe kur një shtet ka institucione që zgjedhin të mos shohin, atëherë problemi nuk është më vetëm padrejtësia është bashkëpunimi me të.

Në qendër të këtij dështimi qëndron Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda. Një figurë që mban një titull të madh, por që përfaqëson një heshtje edhe më të madhe.

Robert Gajda është Komisioner vetëm me emër. Sepse në realitet, diskriminimi ekonomik që i shkatërron pensionistët nuk ekziston për të. Diskriminimi politik që largon njerëz nga puna për bindje partiake nuk ekziston për të. Diskriminimi institucional që poshtëron qytetarët në sportele, polici, prokurori e gjykata nuk ekziston për të. Qytetari që zvarritet nga policia nuk ekziston për të. I sëmuri që nuk blen dot ilaçe nuk ekziston për të.

Ditën e djeshme lexova se ky komisioner ka reaguar për dhunën dhe gjuhën e urrejtjes që ekziston Big Brother. Dhe sipas reagimit Roberti është shumë i indinjuar.

Robert Gajda gjen kohë, ndjeshmëri dhe zë publik për një spektakël televiziv, por jo për një shoqëri që po mbytet nga pabarazia dhe dhuna shtetërore. Gjen guxim për të komentuar dhunën kur ajo është e sigurt, e paketuar për audiencë dhe pa kosto politike. Por humbet zërin kur dhuna vjen nga vetë shteti, nga vetë pushteti që duhet të kontrollojë.

Robert Gajda nuk është i painformuar. Ai është selektiv. Nuk është i pafuqishëm. Ai është i rehatshëm. Nuk është i verbër. Ai thjesht zgjedh të mos shohë aty ku shikimi do të kërkonte përballje.

Një Komisioner që reagon për televizionin, por hesht për pensionistin e poshtëruar, nuk është mbrojtës i barazisë. Është dekor institucional. Një Komisioner që flet për dhunë në ekran, por jo për dhunën reale të policisë ndaj qytetarëve, nuk është zë i drejtësisë është zë i hipokrizisë.

Në Shqipëri nuk kemi thjesht probleme sociale. Kemi një sistem të ndërtuar mbi diskriminim, poshtërim dhe përjashtim. Kemi një shtet që flet për barazi, por ushqehet nga pabarazia. Që flet për dinjitet, por jeton nga çnjerëzimi i qytetarëve të vet.

Në njërën anë është realiteti i përditshëm i njerëzve. Pensione që nuk mjaftojnë as për ilaçet e një dite. Të moshuar që zgjedhin mes bukës dhe trajtimit mjekësor. Njerëz të sëmurë që vdesin në heshtje sepse ilaçet janë të shtrenjta dhe shteti është i lirë nga përgjegjësia. Pensionistë që rrinë në radhë për një abone, jo sepse u pëlqen, por sepse janë detyruar të pranojnë poshtërimin si normalitet.
Në anën tjetër është luksi institucional. Zyra të ngrohta. Deklarata të kuruara. Heshtje të gjata dhe reagime selektive.

Në realitetin e qytetarit, ndihma ekonomike është tallje. Në realitetin e institucioneve, ajo quhet “politikë sociale”. Në realitetin e qytetarit, arsimi është luks. Në realitetin e institucioneve, është “reformë”. Në realitetin e qytetarit, policia tërheq zvarr njerëz në rrugë. Në realitetin e institucioneve, kjo është “rast i izoluar”.

Diskriminimi nuk është rastësor. Është sistematik. Diskriminim ekonomik, ku varfëria ndëshkohet. Diskriminim politik, ku bindja paguhet ose ndëshkohet. Diskriminim institucional, ku qytetari i zakonshëm nuk ka zë, ndërsa i forti ka imunitet.

Bullizimi fillon në shkolla dhe nuk mbaron kurrë. Vazhdohet në vendin e punës, në polici, në prokurori, në gjykata. Vazhdohet në zyrat shtetërore, ku qytetari trajtohet si barrë, jo si subjekt i të drejtës. Persona nën hetim mbahen në errësirë, pa akte dhe prova, sepse transparenca është rrezik për pushtetin.

Punonjës shkarkohen për bindje politike dhe quhet “ristrukturim”. Njerëz përjashtohen dhe quhet “procedurë”. Dinjiteti shkelet dhe quhet “ligj”.

Dhe në mes të gjithë këtij realiteti që digjet, ekziston një institucion që ka për detyrë ligjore të reagojë që është, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe kryeinspektor Robert Gajda.

Robert Gajda nuk e sheh diskriminimin ekonomik që i dënon të varfrit të jetojnë pa dinjitet. Nuk e sheh diskriminimin politik që ndan qytetarët në të bindur dhe të përjashtuar. Nuk e sheh diskriminimin institucional që vjen nga vetë shteti. Nuk e sheh policin që tërheq zvarr qytetarin. Nuk e sheh pensionistin që poshtërohet. Nuk e sheh të sëmurin që nuk përballon ilaçet.

Por Robert Gajda sheh Big Brother-in.

Sheh dhunën e transmetuar për audiencë. Sheh spektaklin. Sheh atë që është e sigurt për t’u komentuar, sepse nuk rrezikon pushtetin. Sepse nuk kërkon llogari. Sepse nuk prish rehati.

Ky nuk është thjesht dështim. Është bashkëfajësi morale. Sepse heshtja përballë diskriminimit real është pjesë e diskriminimit. Kur një institucion zgjedh çfarë të shohë dhe çfarë të injorojë, ai institucion ka marrë anë.

1 Komente

  1. T
    Tit Myfftia

    ANALIZE BRILANTE, E QARTE DHE E SHKRUAR ME NJE KULTURE GJUHESORE TE ADMIRUESHME. UNE JAM I FIKSUAR PAS GJUHES KU SPIKAT ANALFABETIZMI FINKSIONAL EDHE TEK MENDER ANALISTE-SHKRUESIT, GJITHOLOGET PATRONAZHISTE, QE SHETISIN SA NGA NJERA MEDIA TEK TJETRI. BRAVO AV. ARBEN lLANGOZI

    Lini një Përgjigje