TAGS-AT E JAVËS

Forum18 Prill 2026, 10:44

Iluzioni i Hormuzit: Pse Evropa nuk mund të diktojë asgjë në këtë konflikt

Shkruar nga Paolo Rossetti
Iluzioni i Hormuzit: Pse Evropa nuk mund të diktojë asgjë në
Macron, Stermer dhe Meloni /

Irani rihap përkohësisht ngushticën me kushte, ndërsa negociatat mbeten të bllokuara. Nisma evropiane për një mision mbrojtës ngre më shumë pikëpyetje sesa siguri. Në një krizë të dominuar nga të tjerët, Evropa rrezikon të mbetet thjesht spektatore...

Armëpushim në Liban dhe një hapje e përkohshme e Ngushticës së Hormuzit nga ana e iranianëve gjatë kësaj periudhe. Diçka duket se po lëviz në bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së, ndonëse në realitet - siç vëren Maurizio Boni, gjeneral dhe analist i “Analisi Difesa” - nuk ka shenja që të dëshmojnë një kthesë thelbësore.

Iluzioni i Hormuzit: Pse Evropa nuk mund të diktojë asgjë në
Maurizio Boni /

Pra, edhe pse flitet për takime të reja mes palëve, negociatat janë të bllokuara; propozimet që qarkullojnë shpesh janë të pazakonta dhe në çdo rast të paafta për të ndryshuar realisht rrjedhën e situatës.

As nisma e fundit e Starmer, Macron, Merz dhe Melonit për Ngushticën e Hormuzit nuk duket se ka ndonjë perspektivë të madhe. Dymbëdhjetë vende, përfshirë Italinë, do të ishin gati për një mision mbrojtës sapo të konsolidohet armëpushimi.

Mirëpo, mbetet e paqartë se me çfarë mandati do të veprojnë, kush do t’i koordinojë dhe çfarë do të bëjnë konkretisht. Duket si një version i ri i “të vullnetshmëve” që pamë gjatë luftës në Ukrainë, i destinuar të mos ketë ndikim në çështjen e Lindjes së Mesme.

Kjo edhe për faktin se Evropa dhe vendet e saj nuk konsiderohen më aktorë kryesorë në skenë. Për më tepër, Donald Trump ka deklaruar tashmë se NATO duhet të qëndrojë jashtë kësaj çështjeje.

Në përputhje me armëpushimin në Liban, iranianët kanë rihapur Hormuzin, ndonëse përkohësisht. A po shkohet drejt një zgjidhjeje të krizës?

Ngushtica e Hormuzit është hapur sipas disa kritereve që duhen koordinuar me Iranin për aq kohë sa zgjat armëpushimi. Megjithatë, iranianët nuk kanë specifikuar nëse bëhet fjalë për armëpushimin mes Iranit dhe SHBA-së, apo atë mes Izraelit dhe Libanit. Është një nismë që u leverdis të gjithëve dhe, për rrjedhojë, ka ndikuar menjëherë në uljen e çmimit të naftës.

Por pavarësisht kësaj, unë nuk besoj se kjo paralajmëron një fazë negociatash më domethënëse, duke pasur parasysh se bisedimet e Islamabadit ishin katastrofike, pavarësisht deklaratave të presidentit amerikan. Me përjashtim të ndonjë surprize, kjo mbetet thjesht një fazë kalimtare.

Por çfarë synimi ka konkretisht kjo hapje e ngushticës nga Teherani?

Sipas burimeve iraniane, ato që do të lejohen të kalojnë duhet të jenë anije tregtare dhe pa lidhje me vende armiqësore. Duhet të ndjekin rrugët e përcaktuara nga Irani dhe kalimi duhet të koordinohet me forcat iraniane përgjegjëse.

Kjo hapje lidhet drejtpërdrejt me kushtet e armëpushimit në Liban. Megjithatë, nëse do të vazhdojë bllokada detare amerikane, Teherani mund ta konsiderojë këtë si shkelje të armëpushimit.

Një ditë armëpushimi në Liban dhe të nesërmen hapja e Hormuzit. Duken si dy gjeste të rëndësishme vullneti të mirë. Pse nuk mjaftojnë për të krijuar shpresë?

Edhe pse Trump bën njoftime të bujshme, besueshmëria e tij tashmë është komprometuar plotësisht. Sepse ishte ai që deklaroi se mund të asgjësonte një qytetërim të tërë, si ai iranian, brenda një nate.

Dhe nuk ishte hera e parë që bën paralajmërime të tilla katastrofike. Sa i përket Libanit, mbetet për t’u parë se sa i qëndrueshëm do të jetë ky armëpushim. Lufta atje nuk po shkon sipas planeve të izraelitëve.

Qeveria libaneze po kërkon me dëshpërim paqe për arsye të kuptueshme, por një gjë është e qartë: Hezbollahu nuk është mposhtur dhe për Izraelin situata është shumë më e vështirë nga sa pritej. Qëndrueshmëria e armëpushimit varet nga vullneti i Izraelit për të negociuar diçka vërtet domethënëse. Por deklaratat e liderëve të tij lënë të kuptohet të kundërtën.

Ndërkohë Trump ka falënderuar iranianët për zhbllokimin e përkohshëm të Hormuzit, por ka theksuar se bllokada e tij detare mbetet në fuqi. Pra, nuk u beson plotësisht atyre?

Ky është thelbi i problemit: ai thotë një gjë dhe pas dy orësh e përgënjeshtron. Mbretëron një konfuzion i madh, ashtu si në negociatat mes SHBA-së dhe Rusisë. SHBA-ja nuk ka në dispozicion një zgjidhje ushtarake bindëse, ndaj bllokada detare mbetet një masë pa qëllim të qartë strategjik, pra thjesht një reagim ndaj një bllokade tjetër.

Axios flet për bisedime që mund të nisin që të dielën dhe zërat (të mohuara nga amerikanët) thonë se SHBA-ja do të ishte e gatshme të paguante 20 miliardë dollarë, duke përdorur fondet e ngrira iraniane, në këmbim të uraniumit të pasuruar. Si i vlerësoni këto elemente?

Këto janë kushte të papranueshme për iranianët; zgjidhje pak origjinale dhe aspak të realizueshme. Çështja e uraniumit dhe e programit bërthamor është preteksti më i shpeshtë i narrativës zyrtare amerikane dhe izraelite, por nuk mund të mendohet se konflikti buron vetëm nga kjo pikë. Çdo ditë shfaqen zgjidhje “fantastike” që nuk përputhen aspak me qasjen negociuese të Iranit.

A po arrijnë palët të gjejnë një gjuhë të përbashkët?

Në Islamabad, iranianët paraqitën një dokument me 10 pika, i cili u injorua plotësisht nga SHBA-ja. Edhe pse në vështirësi dhe pa një rrugëdalje të qartë, Uashingtoni është përpjekur të imponojë vizionin e vet, i cili nuk njeh sovranitetin iranian as mbi Ngushticën e Hormuzit.

Besoj se negociatat janë ende shumë larg një pike takimi. Ndërkohë, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të këtij armëpushimi. Fakti që Trump telefononte vazhdimisht J.D. Vance gjatë bisedimeve në Pakistan për t'u informuar, tregon shumë për pasigurinë e një presidenti që ndodhet në vështirësi.

Macron dhe Starmer, bashkë me Merz dhe Meloni, kanë ndërmarrë një nismë evropiane për Ngushticën. Flitet për një mision mbrojtës pas armëpushimit ku Italia mund të marrë pjesë. Çfarë po synohet të arrihet?

Pyetja që lind është: çfarë nënkupton realisht një “mision mbrojtës”? Natyra dhe modalitetet e tij duhet të bien dakord me Iranin. Deri tani kemi vetëm deklarata të nivelit politik. Për më tepër, BE-ja, sipas pozicionimit të Ursula von der Leyen, mbështet plotësisht SHBA-në dhe Izraelin.

Realiteti është se përsëri Evropa nuk është e besueshme si ndërmjetëse apo paqebërëse. Ajo nuk shihet si një aleat apo kundërshtar me peshë, as në konfliktin ruso-ukrainas dhe as në këtë krizë.

Meloni po distancohet nga Trump, por duket se afrohet me Macron, Starmer dhe Merz. A po kalojmë nga një situatë e keqe në një tjetër më të keqe? Çfarë të ardhme ka një aleancë e tillë?

Nuk do të jenë Franca, Italia apo Britania ato që do të ndryshojnë ekuilibrat botërorë. Në këtë mes, Italia mbetet aktori më i dobët për nga profili dhe prania strategjike. Duhet parë me kujdes se çfarë do të negociojnë me Iranin dhe sa do të dëgjohen.

Është ky një mision i mirëfilltë evropian, apo janë thjesht vende që veprojnë në mënyrë të shpërndarë? Nën cilin flamur do të operojnë dhe kush do t’i koordinojë? Mua më duket se qasja mbetet ajo e “të vullnetshmëve”. Nuk dihet kush komandon dhe cili është qëllimi final. Tek e fundit, për çfarë po flasim konkretisht?/Pamfleti nga “Il Sussidiario”

iluzioni i hormuzit evropa

Lini një Përgjigje