Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është bërë pjesë e spekulimeve që lidhen me organizimin e finales së Kupës së Botës 2030.
Sipas emisionit sportiv spanjoll “El Partidazo de COPE”, në Federatën Spanjolle të Futbollit (RFEF) ekziston shqetësimi se finalja e Botërorit mund të mos zhvillohet në Spanjë, por në Marok.
Gazetari Juanma Castanjo tha gjatë emisionit se brenda federatës spanjolle besohet se Trump preferon që ndeshja finale të luhet në Marok.
"Ekziston frika se Donald Trump dëshiron që finalja e Botërorit 2030 të zhvillohet në Marok. Madje kjo është shumë e qartë. Trump ka një antipati të veçantë ndaj Spanjës, ndërsa Maroku është një partner i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara", u tha në emision.
Kupa e Botës 2030 do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa ndeshjet hapëse do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, në kuadër të 100-vjetorit të turneut. Megjithatë, FIFA ende nuk ka përcaktuar stadiumin që do të presë finalen.
Aktualisht, Spanja ka dy kandidatë kryesorë për ndeshjen vendimtare: “Spotify Camp Nou” në Barcelonë dhe “Santiago Bernabeu” në Madrid. Nga ana tjetër, nëse finalja do t'i besohej Marokut, kandidati kryesor është Stadiumi “Hassan II”, me kapacitet rreth 115 mijë spektatorësh, i cili ndodhet ende në ndërtim.
Pak ditë më parë, presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Rafael Luzan, deklaroi se finalja duhet të zhvillohet në Spanjë.
"Nuk do të kishte kuptim që Spanja të mos ishte mikpritëse e finales së Botërorit. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se finalja duhet të luhet në Spanjë, sepse ky Botëror lindi si një projekt i Spanjës dhe Portugalisë, ndërsa Maroku iu bashkua më vonë", deklaroi Luzan në një intervistë për “Cadena SER”.
Pavarësisht raportimeve dhe spekulimeve në mediat spanjolle, FIFA nuk ka marrë ende një vendim zyrtar për stadiumin që do të presë finalen e Kupës së Botës 2030.
Lini një Përgjigje