Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca kundërshton vendosjen e tarifave nga Omani dhe Irani për kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se një masë e tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm për rrugë të tjera detare strategjike në botë.
Në një intervistë për rrjetin televiziv TF1, Macron tha se vendosja e këtyre tarifave do të rriste kostot e transportit detar dhe si pasojë, çmimet në tregjet ndërkombëtare. Ai theksoi se një praktikë e tillë bie ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe me rregullat që garantojnë lirinë e lundrimit.
Presidenti francez u ndal edhe te çështja e të ashtuquajturave “tarifa shërbimi”, të cilat, sipas tij, u shtuan në momentet e fundit të marrëveshjes. Megjithatë, ai nënvizoi se prioriteti kryesor mbetet rihapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimi i lundrimit normal në zonë.
“Prioriteti është që Ngushtica e Hormuzit të hapet sërish, anijet dhe cisternat të mund të lundrojnë dhe ekuipazhet që kanë mbetur të bllokuara prej muajsh të lirohen”, u shpreh Macron.
Duke folur për marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, kreu i Elizesë bëri të ditur se dokumenti është nënshkruar tashmë në mënyrë elektronike. Ai shtoi se anekset përkatëse pritet të nënshkruhen të premten, duke theksuar rëndësinë e zbatimit sa më të shpejtë të marrëveshjes.
“Duhet të bëhet gjithçka në orët dhe ditët në vijim që kjo marrëveshje të kthehet në realitet”, deklaroi presidenti francez.
Lini një Përgjigje