Mes pankartave të protestës spikati edhe mesazhi “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët”, me të cilin protestuesit rikthyen në vëmendje kërkesat e lëvizjes studentore dhe pakënaqësitë e mbetura sipas tyre të pazgjidhura.
Protestuesit e mbledhur në protestën e 16-të kundër kryeministrit Edi Rama kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, pas përfundimit të fjalimeve nga podiumi i vendosur pranë Kryeministrisë.
Fillimisht, turma është drejtuar drejt institucionit të Presidencës, ndërsa më pas itinerari i protestës pritet të vijojë në zonën e ish-Bllokut, një prej zonave më të frekuentuara të kryeqytetit.
Mes pankartave të shumta të shfaqura gjatë marshimit, spikati edhe një mesazh i drejtuar kryeministrit Edi Rama: “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët”. Përmes kësaj pankarte, protestuesit rikthyen në vëmendje lëvizjen studentore të vitit 2018 dhe kërkesat e asaj kohe, duke pretenduar se problemet që ngritën studentët mbeten ende të pazgjidhura.

Gjatë marshimit, protestuesit kanë vijuar me thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në duart e tyre shihen pankarta me mesazhe politike dhe slogane të artikuluara përgjatë ditëve të fundit të protestave.
Nën sloganin “Shqipëria nuk shitet, zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja nuk shitet”, qytetarët u grumbulluan si çdo ditë në përpara kryeministrisë, ku mbajtën fjalime për rreth dy orë.
Më pas nisi marshimi masiv në rrugët e kryeqytetit, nën thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”. Protestuesit u drejtuan te Presidenca dhe më pas te zona e ish-bllokut.
Sakaq, ditën e djeshme marshimi historik u mbyll me një ‘uragan’, pjesëmarrje dhe varg kilometrik qytetarësh që hodhën thirrje e parulla kundër qeverisë dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Marshimi zhvillohet në kuadër të protestës së 16-të qytetare, e cila ka mbledhur pjesëmarrës nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit. Organizatorët kanë deklaruar se aksioni do të vijojë deri në realizimin e kërkesave të tyre politike.
Lini një Përgjigje