TAGS-AT E JAVËS

Forum21 Korrik 2026, 15:28

Muzgu i Carit Vladimir dhe rënia e fuqisë ruse

Shkruar nga Federico Rampini
Muzgu i Carit Vladimir dhe rënia e fuqisë ruse
Vladimir Putin /

Në përfundim të luftës kundër Ukrainës, Rusia nuk do të zhduket nga harta, por rënia e saj në rangun e një fuqie të mesme duket gjithnjë e më e mundshme...

Edhe pse në një periudhë që duhej të ishte ajo e nisjeve drejt detit, në stacionin Kazanskij të Moskës binarët drejt jugut janë bosh. Këtë e tregon korrespondenti i The Economist në atë vendngjarje.

Nuk ka më familje të ngarkuara me valixhe që nisen drejt Krimesë për pushime. Përkundrazi, ka vetëm njerëz me uniforma ushtarake dhe një ankth të përhapur që ndihet në ajrin e nxehtë të kryeqytetit.

Është një detaj mikroskopik, por që thotë më shumë se një mijë komunikata zyrtare të Kremlinit: Rusia e Vladimir Putinit, ajo që prej vitit 2022 i tregon vetes përrallën e një perandorie në marshim të pandalshëm drejt fitores, po e zbulon çmimin e luftës mbi lëkurën e vet, dhe jo më vetëm mbi atë ukrainase.

The Economist, i cili ka korrespondentë në terren nga Rostovi deri në Nizhnij Novgorod, ka mbledhur dëshmi që tregojnë për një vend të rraskapitur: radhë që zgjasin dy ose tre orë në pikat e karburantit për shkak të racionimit të benzinës, ndërprerje të internetit, rritje të çmimit të patateve me 4.5 për qind brenda një muaji dhe fermerë që druhen se nuk do të arrijnë të korrin grurin për shkak të mungesës së karburantit.

Një sondazh i Fondit për Opinionin Publik (FOM), një institut i afërt me Kremlinin dhe që për rrjedhojë vështirë se mund të dyshohet për simpati ndaj Ukrainës, tregon se 55 për qind e rusëve ndiejnë një ankth të përhapur mes kolegëve dhe familjarëve, kundrejt 40 për qind që ishte një vit më parë.

Pakti social mbi të cilin Putini ndërtoi një çerek shekulli pushtet – ku qytetarët qëndrojnë jashtë politikës dhe pushteti nuk ndërhyn në jetët e tyre - është prishur tashmë. Lufta ka mbërritur në shtëpi.

Walter Russell Mead, editorialist i Wall Street Journal dhe një nga mendjet më të kthjellëta të shkollës realiste amerikane, shtron pyetjen që askush në Moskë nuk guxon ta formulojë me zë të lartë: A po e humb Rusia statusin e fuqisë së madhe, të cilin e rifitoi me mund pas përfundimit të Luftës së Ftohtë?

Analiza e tij nuk kufizohet vetëm në kronikën e vështirësive ushtarake, por e vendos atë në një kornizë historike afatgjatë. Mead identifikon Detin e Zi si pikën simbolike të kësaj thyerjeje: Moska ushtron aty një hegjemoni që daton që nga shekulli XVIII, në kohën e Katerinës së Madhe.

E megjithatë, përballë sulmeve me raketa dhe dronë ukrainas, flota ruse u detyrua të largohej nga Sevastopoli. Dhe një perandori që nuk kontrollon më Detin e Zi, vëren Mead, është një perandori që ka humbur vetë palcën e narrativës së saj.

Kësaj i shtohet edhe dobësimi i ndikimit rus në periferitë ish-sovjetike. Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Turqia po kultivojnë lidhje të ngushta ekonomike dhe ushtarake në Kaukaz dhe në Azinë Qendrore.

Madje edhe aleati më besnik i Moskës, presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko, po fillon t’i frikësohet më shumë kundërpërgjigjeve ukrainase sesa presioneve të Kremlinit. Mead ka kujdesin e një studiuesi të periudhave afatgjata.

Sipas tij, “është tepër herët për ta nxjerrë Putinin jashtë loje”. Gjithsesi, përfundimi i tij ka tonin e esëllt të dikujt që vëzhgon një ligj të gravitetit historik: Rusia nuk do të zhduket nga harta, por rënia e saj në rangun e një fuqie të mesme duket gjithnjë e më e mundshme.

Teza e Mead gjen një konfirmim të pamëshirshëm në faktet e mbledhura nga gazetari Edward Lucas për EUobserver, i cili rindërton izolimin diplomatik dhe ekonomik të Moskës. Kina, një aleate ‘pa limite” sipas retorikës zyrtare sino-ruse, ka refuzuar të furnizojë sistemet e propulsionit detar të nevojshme për anijet ruse në Rrugën Arktike Veriore.

Por goditja më e rëndë ka të bëjë me energjinë. Projekti i gazsjellësit “Power of Siberia 2”, me kapacitet 50 miliardë metra kub në vit, ka ngecur faktikisht, sepse Pekini kërkon ta paguajë gazin rus me vetëm një të pestën e çmimit të kërkuar nga Kremlini, i cili deri më tani kishte ofruar zbritje të konsiderueshme.

Kjo është logjika e egër e marrëdhënies midis kreditorit dhe debitorit: e privuar nga shitjet e gazit përmes gazsjellësve drejt Bashkimit Evropian, të cilat pritet të ndërpriten vitin e ardhshëm, Rusia nuk ka tregje alternative, ndërsa Kina po.

Ky paradoks është poshtërues për krenarinë perandorake moskovite. Për shkak të sulmeve ukrainase ndaj rafinerive, Rusia tashmë është e detyruar të importojë produkte të naftës së rafinuar pikërisht nga Kina.

Por nuk është vetëm Pekini ai që po mban distancë. Kazakistani ka ndaluar pjesën më të madhe të importeve të grurit rus. Azerbajxhani i Ilham Aliyevit ka shprehur mbështetje publike për integritetin territorial të Ukrainës, një gjest politik që pak vite më parë do të ishte i pamendueshëm për një vend ish-sovjetik në orbitën e Moskës.

Armenia po vijon me rikthimin e lidhjeve hekurudhore me Turqinë dhe Azerbajxhanin, duke anashkaluar vonesat e një Rusie që formalisht kontrollon ende atë hekurudhë, por që faktikisht nuk arrin më të imponojë agjendën e saj.

Nga Baltiku në Kaukaz, nga Azia Qendrore në Detin e Zi, hapësirat e lëna bosh nga tërheqja ruse po zihen nga të tjerë, përfshirë edhe Kinën, që supozohej të ishte aleatja më e ngushtë e Moskës. Po ashtu ekziston edhe një front i tretë, të cilin New York Times e ka dokumentuar përmes një reportazhi nga Kievi të nënshkruar nga Carlotta Gall dhe Oleksandr Chubko. Ukraina, një pioniere globale në luftën me dronë, po investon tani në betejën e mendjeve. Maria Berlinska, vullnetarja që në vitin 2014 i bindi komandantët ukrainas të përdornin dronët dhe që sot konsiderohet një figurë pothuajse legjendare në vend, ka themeluar një organizatë të re, Victory Neurones, të dedikuar luftës konjitive: komunikimit strategjik, luftës kibernetike dhe operacioneve psikologjike.

Arsyetimi i saj është ky: dronët ukrainas kanë mundësuar vrasjen e tre ose katër ushtarëve rusë për çdo ushtar ukrainas të rënë, një raport që mund të mbahet vetëm për sa kohë Rusia nuk vendos për një mobilizim të përgjithshëm.

Në atë rast do të nevojitej një raport prej tetë ose dhjetë me një, gjë që është e papërballueshme. Prej këtu ka lindur zgjedhja për ta zhvendosur frontin nga teknologjia te propaganda, duke u përpjekur të minohet nga brenda aftësia ruse për të përballuar një mobilizim masiv.

Ministri ukrainas i Transformimit Digjital, Mykhailo Fedorov, ka deklaruar se Kievi po sfidon tashmë epërsinë ruse në luftën elektronike dhe në përdorimin e dronëve, ndërsa terreni i fundit për t’u pushtuar është ai i informacionit, ku, siç e pranon edhe vetë, Moska mbetet ende fuqia dominuese në botë.

Ky është një pranim interesant, sepse përmbys një stereotip të konsoliduar në Perëndim: atë të një Rusie ushtarakisht të prapambetur, por psikologjikisht të pamposhtur, trashëgimtare e drejtpërdrejtë e teknikave sovjetike të dezinformimit.

Vetë ekspertët ukrainas, si Serhii Demediuk, themelues i departamentit të kiberpolicisë ukrainase, e pranojnë se kundërshtimi i narrativës ruse është i vështirë. Përpjekja për të hedhur poshtë një gënjeshtër shpesh përfundon duke e përformuar atë, një paradoks i njohur për këdo që merret me komunikimin politik.

Nëse merren së bashku këto tri nivele analize - rraskapitja e brendshme e dokumentuar nga The Economist, izolimi diplomatik i përshkruar nga Lucas dhe fronti i ri kognitiv i treguar nga New York Times - atëherë korniza interpretuese e Mead merr një rëndësi edhe më të madhe.

Dhe nuk bëhet fjalë për një krizë kalimtare, por për kombinimin e disa trajektoreve afatgjata: rënia demografike ruse, dështimi në arritjen e ekselencës teknologjike, vështirësitë ekonomike strukturore post-sovjetike, ngritja e Kinës në Lindje dhe nacionalizmi këmbëngulës në ish-republikat sovjetike.

Kremlini nuk e ka prekur ende fundin. Putini e ruan arsenalin bërthamor, mban kapacitete të konsiderueshme kibernetike dhe të luftës hibride, ndërsa historia e afërt na mëson të mos e nënvlerësojmë aftësinë e tij për të gjetur dalje diplomatike të papritura edhe në momentet e vështirësisë maksimale.

Por ligjet e gravitetit historik, herët a vonë, do ta bëjnë efektin e tyre. Pyetja që duhet të shqetësojë kancelaritë perëndimore dhe ato aziatike nuk është më nëse Rusia do ta fitojë apo do ta humbasë luftën në Ukrainë, por se çfarë lloj fuqie - rajonale, dytësore apo ndoshta edhe kliente e Pekinit - do të dalë nga kjo luftë rraskapitëse.

Nëse konkretizohet reduktimi i Moskës në rangun e një fuqie të mesme, i gjithë rendi gjeopolitik euroaziatik do të ndryshojë rrënjësisht. Kina do të tundohet të ringrejë pretendime territoriale që datojnë nga epoka e Carëve.

Azia Qendrore do të tërhiqet në orbitën e Pekinit dhe Turqia do të jetë e lirë të zgjerojë ndikimin e saj në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme. Kjo luftë, e nisur nga Putini për të rikthyer madhështinë perandorake ruse, mund të përfundojë duke e përshpejtuar pikërisht muzgun e saj./Pamfleti nga “Corriere della Sera”

muzgu i carit vladimir putin

Lini një Përgjigje