TAGS-AT E JAVËS

Forum 6 Qershor 2026, 14:51

Nga dëgjesat qytetare te bulevardi

Shkruar nga Agron Haxhimali

Nga dëgjesat qytetare te bulevardi

Prandaj protesta në bulevard është më shumë se një reagim i këtyre ditëve. Ajo është shprehja publike e një ndjenje që ka kohë që grumbullohet në çdo cep të vendit.

Reflektim personal-politik mbi zërin qytetar që po ngrihet në Shqipëri. Ajo që po ndodh këto ditë në bulevardin e Tiranës, me protestën e mrekullueshme të të rinjve dhe qytetarëve, nuk më erdhi si befasi. Në njëfarë mënyre, e kisha ndjerë më parë.

E kisha ndjerë në dëgjesat qytetare të zhvilluara në qarqe të ndryshme të vendit, për Reformën Territoriale dhe Administrative. Në sallat ku njerëzit merrnin fjalën për të folur për territorin, për bashkitë, për shërbimet apo për administratën, në fakt shpesh po flisnin për diçka shumë më të thellë: për lodhjen nga pushteti, për zhgënjimin nga shteti dhe për mungesën e respektit ndaj qytetarit, për reforma e reforma mbi reforma që nuk ju a kishin përmirësuar si duhet dhe sa duhet jetesën.

Në çdo qark, me fjalë të ndryshme dhe me shembuj të ndryshëm, qytetarët përcollën të njëjtën ndjesi: diçka brenda tyre po zien. Ata flisnin për shërbime që janë larguar, për institucione që nuk përgjigjen, për zyrtarë që sillen me arrogancë, për pushtet vendor të dobësuar dhe për një administratë që shpesh nuk e trajton qytetarin si njeri me të drejta, por si dikë që duhet të presë, të lutet dhe të durojë-dhe për humbjen e lidhjes reale mes qytetarit dhe institucioneve.

Por më shumë se fjalët, flisnin fytyrat. Fliste zëri. Fliste shikimi. Fliste thellësia e shpirtit të tyre. Në shumë prej tyre ndihej një zemërim i mbajtur gjatë brenda. Jo thjesht zemërim për një rrugë të prishur, për një dokument të vonuar apo për një shërbim të munguar. Ishte një zemërim më i thellë, i akumuluar nga vite të tëra keqqeverisjeje, arrogance, mospërfilljeje dhe propagande që nuk përputhet me jetën reale të njerëzve.

Prandaj protesta në bulevard është më shumë se një reagim i këtyre ditëve. Ajo është shprehja publike e një ndjenje që ka kohë që grumbullohet në çdo cep të vendit. Ajo që në dëgjesa dukej si shqetësim i përmbajtur, në bulevard u kthye në zë të lirë, në revoltë qytetare, në kërkesë për dinjitet-në bashkim zërash.

Ato nuk po protestojnë ndaj një projekti të keq-por ndaj keqqeverisjes. Ato nuk janë kundër zhvillimit-por kërkojnë transparencë për modelin e zhvillimit. Ato po protestojnë për veten, familjen dhe atdheun.

Të rinjtë dhe të rejat që ndriçuan bulevardin nuk dolën vetëm për të kundërshtuar. Ata dolën për të thënë se frika mund të thyhet. Dolën për t’i thënë arrogancës së pushtetit: mjaft. Dolën për drejtësi, për të ardhme, për mundësinë që të jetojnë në vendin e tyre pa u ndjerë të përjashtuar, të përçmuar apo të detyruar të largohen.

Kjo protestë është europiane në shpirtin e saj, sepse kërkon dinjitet, përgjegjësi, transparencë dhe respekt për qytetarin. Është protestë e një brezi që nuk pranon më të trajtohet si dekor i propagandës, por kërkon të jetë pjesë reale e së ardhmes së vendit. Ndaj, për mua, bulevardi i këtyre ditëve është vazhdimi i natyrshëm i asaj që ndjeva në dëgjesat qytetare: një shoqëri që ka duruar shumë, që ka heshtur gjatë, por që tashmë po kërkon hapësirën e vet për të folur, për të reaguar dhe për të ndryshuar.

Nuk e shikoj thjeshtë si një protestë, por si zëri dhe vullneti i një shoqërie me vlera evropiane që kërkon dinjitet, drejtësi dhe respekt. Është zëri i qytetarëve që thonë se pushteti nuk mund të qëndrojë më mbi ta, por duhet të përgjigjet para tyre.

Durimi qytetar po soset, frika po thyhet dhe Shqipëria kërkon një qeverisje që të mos qëndrojë mbi qytetarët, por përballë tyre me përgjegjësi, përulësi dhe respekt.

Mesazhi që vjen nga bulevardi i Tiranës, nga bulevardet e qyteteve të tjera të Shqipërisë dhe nga shqiptarët jashtë vendit është i qartë, i fortë dhe i pamundur për t’u shpërfillur.

Lini një Përgjigje