Pas atentatit të ndodhur më 30 qershor në Pogradec, ku mbeti i plagosur rëndë Brian Syzo, Policia ka arrestuar Edison Agollin, 22 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i dyshuar në ngjarje.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, 22-vjeçari u vu në pranga një ditë më parë nga strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë. Hetimet paraprake tregojnë se ai ndodhej së bashku me vëllain e tij, Nikolla Agolli, dhe dy persona të tjerë në momentin kur dyshohet se u tentua të vritej me armë zjarri Brian Syzo.
Edison Agolli ishte shpallur në kërkim menjëherë pas ngjarjes, ndërsa ndaj tij rëndon akuza e "vrasjes me paramendim, e kryer për interes ose hakmarrje", e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim.
Sipas burimeve hetimore, arrestimi i tij lidhet jo vetëm me atentatin në Pogradec, por edhe me një episod tjetër që po hetohet, atë të vendosjes së një kamere në afërsi të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Drenovë, e cila dyshohet se ishte përdorur për të monitoruar lëvizjet e Brian Syzos.
Ndërkohë, është arrestuar edhe vetë Brian Syzo. Burimet bëjnë me dije se masa lidhet me një vendim të formës së prerë të lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, që konfirmon vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Pogradecit të vitit 2023.
Syzo është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së narkotikëve", dënim të cilin tashmë do ta vuajë në burg.
Lini një Përgjigje