TAGS-AT E JAVËS

Forum24 Janar 2026, 21:59

Pse Berisha përsërit se nuk pret të vij në pushtet nga SHBA

Shkruar nga Mero Baze

Pse Berisha përsërit se nuk pret të vij në pushtet nga SHBA

Po ashtu duket i shqetësuar edhe nga teza e partive të reja që thonë se do ta marrim pushtetin pasi Ramën do ta mundë drejtësia. As atë fitore nuk e do...

Javët e fundit, gjithnjë e më shumë drejtuesit e PD-së së Berishës kanë nisur të artikulojnë tezën se ata nuk do t’u sjellin pushtet as SHBA-ja, as drejtësia. E tha i pari Berisha, pasi futi në ekstazë gjithë PD-në që Ramën do ta arrestonin me helikopterë si Maduron. Nuk e di çfarë i ndodhi, por reagimi i tij ishte aq kundër tezës që përhapi vetë, sa tha që edhe atë tezë e ka hapur vetë Edi Rama. Pra, ishte shumë e qartë që as Rama s’do merrej me helikopter dhe që as ai nuk shpresonte më tek ajo.

Po ashtu duket i shqetësuar edhe nga teza e partive të reja që thonë se do ta marrim pushtetin pasi Ramën do ta mundë drejtësia. As atë fitore nuk e do.

Arrestimet e shumta brenda socialistëve dhe çështjet penale pezull që kishin ekzaltuar gjithë demokratët berishistë nuk e entuziazmojnë. Dhe arsyeja është se ai është vetë një prej tyre.

Është interesante që Berisha i dha fund vetë retorikës së sjelljes në pushtet nga SHBA-ja. Ishte pak futuriste ta mendoje se SHBA do të arrestonte Ramën dhe do t’ia hiqte “non grata”-n Berishës, pastaj do ta sillte në pushtet. Por, meqë budallëku në atë parti nuk ka kufij, është i lejuar të kthehet në një platformë politike.

Nuk dihet pse Berisha u distancua nga kjo tezë. Ose LaCivita ia ka bërë të qartë se nuk ia heq dot “non grata”-n, ose ka parë me dëshpërim se nuk ka mundur të ndalë dot lidhjet e administratës së re me Ramën.

Sidoqoftë, kushdo që të ketë qenë arsyeja, ky qëndrim e bën më serioz se karragjozllëqet e Gim Neshos.

Sa i përket tezës se drejtësia nuk mund ta rrëzojë Ramën, është e diskutueshme. Në fakt, drejtësia e ka rrethuar Edi Ramën dhe ka një frymëzim politik. Problemi që ka Berisha me drejtësinë është se ajo është e angazhuar kundër tij dhe çfarëdo që t’i ndodhë Ramës, atij nuk i vjen dita për pushtet nga drejtësia. Ndaj bën sikur nuk e do edhe atë.

E vetmja gjë që do ai është një përmbysje, një gjë që t’i ndalë të gjitha këto makthet e tij nga pritjet e dështuara prej SHBA-së apo drejtësisë, një gjë që, në fund të fundit, ta shpëtojë atë nga drejtësia dhe nga makthi i pushtetit.

E di që ajo ditë nuk vjen, por është e vetmja mënyrë që ai ta shtyjë edhe ca, duke kërcënuar dhe duke hedhur ca molotovë në bulevard, me shpresë se do t’i dhimbset edhe Trumpit, edhe drejtësisë.

berisha rama

Lini një Përgjigje