TAGS-AT E JAVËS

Forum18 Mars 2026, 14:09

Rusia dhe Kina sfidojnë SHBA-në: Gjiri Persik drejt një epoke të re

Shkruar nga Paolo Rossetti
Rusia dhe Kina sfidojnë SHBA-në: Gjiri Persik drejt një epoke
Vladimir Putin dhe Xi Jinping /

Lufta kundër Iranit po kthehet në një bumerang për Uashingtonin dhe Tel Avivin. Vendet e Gjirit po distancohen nga SHBA-ja, ndërsa Moska dhe Pekini shfaqen si pretendentë për të marrë rolin e garantëve të sigurisë në rajon...

Pavarësisht deklaratave, SHBA-ja dhe Izraeli po hasin vështirësi në luftën kundër Iranit. Ndërsa presidenti amerikan ngul këmbë në kursin e tij, Moska po rikthen në lojë një plan të saj për Lindjen e Mesme.

Lufta kundër Iranit po rrezikon gjithnjë e më shumë të kthehet në një bumerang për Trump-in, i cili aktualisht nuk ka në dispozicion zgjidhje ushtarake të realizueshme: as përmes flotës detare, pasi ka larguar dy aeroplanmbajtëset e vendosura për konfliktin, as përmes një operacioni tokësor.

Edhe Izraeli po përballet me probleme në mbrojtjen ajrore, ndërsa Teherani, pavarësisht deklaratave të Shtëpisë së Bardhë, ka ende mjete për t’u kundërpërgjigjur. Sipas Maurizio Bonit, gjeneral italian dhe analist i “Analisi Difesa”, presidenti amerikan po i largon të gjithë ata që e paralajmërojnë, përfshirë J.D. Vance-in, dhe vazhdon të këmbëngullë në sulm. Një qasje që në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë mund të minojë mbështetjen e vendeve të Gjirit dhe t’i hapë rrugë nismave të Rusisë.

Rusia dhe Kina sfidojnë SHBA-në: Gjiri Persik drejt një epoke
Maurizio Boni /

Duke parë vështirësitë e hasura, tregjet e trazuara dhe vendet e Gjirit të shqetësuara e të pakënaqura nga lufta, a po kthehet operacioni kundër Iranit në një bumerang për SHBA-në?

Pa dyshim që po. Ka shumë gjasa që kjo të jetë një nga pasojat që ka shpresuar Irani. Shumë vende të Gjirit po e rishikojnë tashmë qëndrimin e tyre ndaj SHBA-së dhe kjo mund të jetë pjesë e objektivit iranian.

Teherani është përgatitur prej të paktën 20 vitesh për këtë moment, duke ditur se synimi i Izraelit është të eliminojë të vetmin rival rajonal që mund të pengojë projektin e tij (dhe të SHBA-së) për hegjemoninë në Lindjen e Mesme.

Në fund, ka shumë gjasa që amerikanët të shkëputen nga vendet e Gjirit. Në çdo rast, asgjë nuk do të jetë më si më parë.

Përmes Ministrit të Jashtëm, Sergej Lavrov, Rusia ka rikthyer një plan që parashikon një Gji Persik pa amerikanë. A është i realizueshëm, apo SHBA-ja është ende shumë e pranishme me bazat e saj për t’u lënë mënjanë?

Në këtë kontekst, Rusia do të ketë patjetër një rol. Ndërsa Kina, në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, do të bëhet me shumë gjasa pjesë e një sistemi të ri sigurie. SHBA-ja po e humb besueshmërinë nga ora në orë.

Ajo po kërkon një zgjidhje ushtarake që nuk ekziston, sepse një ofensivë tokësore është e paimagjinueshme dhe në historinë ushtarake moderne, fuqia ajrore nuk ka qenë kurrë e mjaftueshme më vete për të fituar një konflikt.

Në rastin e Iranit, akoma më pak, sepse 80 për qind e burimeve të tij, pra bazat, janë nëntokësore.

Amerikanët thonë se kapacitetet ushtarake iraniane janë shkatërruar 100 për qind ose aty afër. A është e vërtetë?

Jo, nuk është aspak kështu. Deklaratat e Trump-it janë më shumë fjalë të një presidenti të dëshpëruar. Një ndërhyrje tokësore është jashtë çdo lloj diskutimi, nuk ekziston as si mundësi e largët.

As nëse kufizohet vetëm në ishullin Kharg?

Jo, nuk është e realizueshme. Ishulli është shumë afër brigjeve iraniane dhe çdo mjet detar që afrohet është i destinuar të goditet. Çfarë opsionesh mbeten? Parashutistë apo marinsë që hidhen nga ajri, zbarkime amfibe si në Luftën e Dytë Botërore?

Të gjitha janë përjashtuar; asnjë mjet detar nuk mund të depërtojë deri në fund. Nuk do të rezistonte. Për më tepër, forcat duhen furnizuar. Është një opsion ushtarak i papërballueshëm dhe Pentagoni e di shumë mirë. Ishulli mund të merrej nën kontroll vetëm me një kosto shumë të madhe.

Pra, edhe nga pikëpamja ushtarake, përplasja nuk është aq e pabarabartë. Pse?

Edhe vëzhgimet satelitore kineze mbi dy aeroplanmbajtëset amerikane, të publikuara gjerësisht në media, tregojnë se “Lincoln” ndodhet 1000 km larg Iranit, në portin e Salalah në Oman.

Prej saj duket që dalin tymra të zinj, pra sikur të jetë bombarduar. Pra, sigurisht që ka probleme. Ndërsa aeroplanmbajtësja tjetër “Ford” ndodhet pranë Jeddah-s, në Arabinë Saudite, në Detin e Kuq. Flota detare amerikane është më e fuqishme dhe më e madhe, por forcat tokësore janë shumë të kufizuara.

Ushtria ka rreth 445 mijë trupa, plus 180 mijë marinsa. Nuk i ka kushtet për të krijuar një kontingjent që mund të pushtojë një vend të madh sa Evropa Perëndimore.

Megjithatë, Trump-i duket sikur ende e përfytyron këtë mundësi. Pse?

Sepse ka larguar të gjithë ata që përpiqen ta bëjnë të arsyetojë, përfshirë J.D. Vance-in dhe Tulsi Gabbard-in, drejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare. Ai ishte paralajmëruar për rreziqet e luftës, siç kishte bërë shefi i shtabit të përbashkët, Daniel Caine.

Një raport i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës, dërguar presidentit një javë para sulmit, e qartësonte se ishte një mision i pamundur. Për më tepër, ka një bollëk deklaratash nga zyrtarë anonimë të Pentagonit dhe administratës, të publikuara në “New York Times” dhe “Washington Post”, që po distancohen hapur nga qëndrimi i presidentit.

Po iranianët, në çfarë situate gjenden?

Bombardimet nuk kanë prekur ende pajisjet më të avancuara teknologjikisht të Iranit dhe Teherani po godet me kujdes objektivat e vendeve të Gjirit, sidomos Arabinë Saudite, që është shumë më bashkëpunuese se të tjerët në mbështetjen e ofensivës izraelite dhe amerikane.

Vetë CENTCOM-i kishte publikuar në mënyrë naive postime ku shfaqeshin raketahedhës amerikanë të vendosur në Arabinë Saudite, që godisnin Iranin. Shumica e furnizuesve të avionëve amerikanë, të aeroplanmbajtëseve dhe ndoshta edhe të avionëve izraelitë, nisen nga Arabia.

Shkëputja e vendeve të Gjirit nga SHBA-ja është një pasojë që duhet marrë seriozisht. Asgjë s’do të jetë më si më parë. Rusia po e shfrytëzon menjëherë këtë. Ajo po flet me të gjithë dhe sapo nisi sulmi, Putini u lidh me monarkitë e Gjirit.

Për të arritur ku?

Objektivi mund të jetë krijimi i një kopjeje të OSBE-së, duke themeluar një Organizatë për Siguri dhe Bashkëpunim në Gjirin Persik, me pjesëmarrjen e Rusisë, Kinës, Indisë dhe të tjerëve si vëzhgues ose anëtarë të asociuar.

Propozimi ekziston dhe mund të shfrytëzojë humbjen e besueshmërisë së SHBA-së në çështje si lufta në Ukrainë dhe në Iran. Le të mos harrojmë se është hera e dytë që ndërhyjnë kundër Teheranit pikërisht gjatë negociatave.

Nga ana e SHBA-së ka një shkëputje totale nga realiteti. Një nga aspektet më ironike është se vetëm pesë javë më parë, Scott Bessant, sekretari i Thesarit amerikan, këmbëngulte të ndëshkohej çdo vend që blinte naftë nga Rusia, përfshirë Indinë. Ndërsa tani, në një kthesë ironike, i lutet të blejë naftë ruse për të ulur çmimin në tregjet ndërkombëtare.

Kur Trump-i u kërkon aleatëve ndihmë për të kontrolluar Ngushticën e Hormuzit dhe kërcënon NATO-n nëse nuk e mbështet, ai thjesht konfirmon vështirësitë e tij në këtë luftë?

Po, kemi një president në vështirësi të jashtëzakonshme. Teorikisht mund ta ndalojë Kongresi, por në votimin e fundit e ka inkurajuar të vazhdojë. Trump-it nuk do të tërhiqet, do të vazhdojë bombardimet siç ka bërë deri tani në 14 qytete, duke goditur kryesisht civilë.

Do ta bëjë edhe sepse Izraeli është në krizë të thellë. Atij i kanë mbaruar raketat interceptuese, të cilat për më tepër kanë qenë krejtësisht joefikase, duke u bërë objekt i sulmeve të vazhdueshme nga raketat balistike iraniane.

Mbrojtja ajrore pothuajse nuk ekziston më dhe censura e rreptë ndalon publikimin e imazheve, me dënime të rënda për ata që guxojnë ta bëjnë. Izraeli është aq në krizë, sa po përdor në internet imazhe arkivore nga pushtimet e mëparshme të Libanit dhe nga lufta e 12 ditëve./Pamfleti nga “Il Sussidiario”

xi jinping putin gjiri persik kina rusia shba

Lini një Përgjigje