Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka deklaruar se mazhoranca ka rrëzuar me shtatë vota kundër kërkesën e saj për përfshirjen në projekt-kalendarin e punimeve të nismës ligjore për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura.
Sipas Zhupës, projektligji ishte depozituar prej saj më 14 maj, ndërsa mazhoranca refuzoi që ai të përfshihej në kalendarin e punimeve parlamentare deri në fund të muajit korrik.
Deputetja e Partisë Demokratike u shpreh se ky vendim tregon se mazhoranca nuk ka vullnet as për të diskutuar dhe as për të shfuqizuar ligjin, pasi, sipas saj, ai u shërben projekteve të planifikuara në zonat e mbrojtura.
Zhupa argumentoi se ligji nr. 21/2024 ka krijuar mundësinë për zhvillimin e ndërtimeve në këto zona, duke dobësuar nivelin e mbrojtjes së tyre. Ajo e lidhi qëndrimin e mazhorancës edhe me projektet e paraqitura në librin “The Albanian Files”, të promovuar nga kryeministri Edi Rama si vizioni për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
“Arsyeja është e qartë: shfuqizimi i ligjit do t’u prishte planet për betonizimin e zonave të mbrojtura. Pikërisht ato projekte që promovohen në librin “Albanian Files”, të shpallur nga Edi Rama si vizioni për të ardhmen e turizmit shqiptar, me vila, resorte dhe ndërtime në zemër të natyrës së mbrojtur.”, thekson ajo.
Reagimi i Ina Zhupës:
Sot, në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën kërkova që në projekt-kalendarin e punimeve të përfshihej për shqyrtim nisma ime për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura, të cilën e kam depozituar që më 14 maj.
Përfaqësuesit e mazhorancës votuan 7 vota kundër dhe refuzuan ta fusin në kalendar deri në fund të korrikut. Një vendim që tregon qartë se nuk duan as debat, e jo më shfuqizim të këtij ligji.
Arsyeja është e qartë: shfuqizimi i ligjit do t’u prishte planet për betonizimin e zonave të mbrojtura. Pikërisht ato projekte që promovohen në librin “Albanian Files”, të shpallur nga Edi Rama si vizioni për të ardhmen e turizmit shqiptar, me vila, resorte dhe ndërtime në zemër të natyrës së mbrojtur.
Ligji 21/2024 hapi derën për ndërtime në zonat e mbrojtura, dobësoi mbrojtjen e pasurisë sonë natyrore dhe vuri në rrezik biodiversitetin, peizazhet dhe të ardhmen e turizmit të qëndrueshëm. Prandaj ai duhet të shfuqizohet sa më parë.
Lini një Përgjigje