TAGS-AT E JAVËS

Kronike12 Korrik 2026, 10:30

Aksion antidrogë në Lezhë, asgjësohen 436 bimë kanabis; mes tre të arrestuarve edhe një grua

Shkruar nga Pamfleti
Aksion antidrogë në Lezhë, asgjësohen 436 bimë kanabis;
Pamje nga aksioni antikanabis në Lezhë

Tre persona kanë rënë në pranga pasi akuzohen për kultivim të bimëve narkotike në zona të ndryshme të qarkut Lezhë. Arrestimet janë kryer gjatë kontrolleve të policisë nga toka dhe ajri, përmes përdorimit të dronëve, si dhe pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

 Të arrestuarit janë identifikuar si Dritan Nikolli, Vojsava Mercina dhe Jetmit Rrucaj.

Sipas njoftimit të policisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë kanë goditur tre raste të kultivimit të bimëve narkotike.

Në Mirditë, policia arrestoi në flagrancë shtetasin Jetmit Rrucaj, 21 vjeç, banues në Durrës, pasi në fshatin Sheshaj u kap duke u kujdesur për 222 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të kultivuara në këtë zonë.

Ndërkohë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, arrestuan shtetasin Dritan Nikolli, 47 vjeç, banues në fshatin Laç, Kurbin. Ai dyshohet se po kujdesej për 151 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan edhe shtetasen Vojsava Mercina, 44 vjeçe. Gjatë kontrollit në lagjen “Rrahu i Pashës”, në Laç, u gjetën 63 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, për të cilat dyshohet se ajo kujdesej.

"Gjatë kontrolleve intensive në territor, nga toka dhe ajri, nëpërmjet përdorimit të dronëve, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, goditën 3 raste të kultivimit të bimëve narkotike.

Si rezultat i veprimeve policore:

* Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasin J. R., 21 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrolleve të kryera në fshatin Sheshaj, Mirditë, u kap duke u kujdesur për 222 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të kultivuara në këtë zonë.

* Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, arrestuan në flagrancë shtetasin D. N., 47 vjeç, banues në Fshat Laç, Kurbin, pasi u kap duke u kujdesur për 151 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

* Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasen V. M., 44 vjeçe, pasi në lagjen “Rrahu i Pashës”, Laç, u gjetën 63 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, për të cilat dyshohet se kujdesej ajo.

Bimët narkotike të konstatuara u asgjësuan me anë të djegies.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.

aksion antidrogë në lezhë grua 3 te arrestuar

Lini një Përgjigje