TAGS-AT E JAVËS

Kronike12 Korrik 2026, 07:44

Ekzekutimi i Aleksandër Koçekut në Shkodër, pista kryesore që po heton policia; pamjet nga vendngjarja

Shkruar nga Pamfleti
Ekzekutimi i Aleksandër Koçekut në Shkodër, pista kryesore
Pamje nga vendi i krimit

Një nga pistat kryesore që po hetohet lidhet me një konflikt të hershëm për gjakmarrje.

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen e Aleksandër Koçekut, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në fshatin Lin, përgjatë aksit rrugor Kir–Prekal, në zonën e Dukagjinit.

Sipas të dhënave paraprake, 42-vjeçari është qëlluar me breshëri automatiku teksa ndodhej brenda automjetit të tij. Pas ngjarjes, policia ngriti një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.

Një nga pistat kryesore që po hetohet lidhet me një konflikt të hershëm për gjakmarrje. Kjo dyshohet edhe nga kushëriri i viktimës, Mark Koçeku, i cili është shprehur se ekzekutimi mund të jetë kryer si akt hakmarrjeje për një ngjarje të ndodhur vite më parë.

Aleksandër Koçeku ishte vëllai i Artan Koçekut, i cili aktualisht po vuan dënimin me burg për vrasjen e Angjelin Shkambit. Krimi ndodhi në vitin 2017 pranë varrezave të qytetit të Shkodrës dhe, sipas hetimeve të asaj kohe, lidhej me një konflikt për një borxh prej 30 mijë eurosh.

Pavarësisht dyshimeve fillestare, policia nuk ka dalë ende në një përfundim zyrtar mbi motivin e vrasjes së Aleksandër Koçekut. Hetimet janë ende në zhvillim dhe po shqyrtohen disa pista, mes tyre edhe ajo e hakmarrjes.

Ekzekutimi i Aleksandër Koçekut në Shkodër, pista kryesore
Artan Koçeku-Angjelin Shkambi

Vrasja e Pavlin Prekës, si ndodhi krimi?

Paulin Preka u gjet i vrarë në 20 shkurt të vitit 2025-së dhe dyshohet se ka si motiv një konflikt të gjatë që lidhet me dëshirën e viktimës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, (në kohën kur ndodhi vrasja vajza ishte 16 vjeçe).

Historia, sipas hetimeve, nis rreth vitit 2022, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç. Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku duke i thënë se nuk kam vajzë për të dhënë sepse është shumë e vogël.

Megjithatë, sipas burimeve, gjatë viteve në vijim Preka ka vijuar të shfaqë interes dhe këmbëngulje për vajzën, duke shprehur ndjenjat e tij edhe tek persona të tjerë.

Familja Koçeku nuk e ka pranuar kurrë këtë kërkesë, duke e konsideruar të papranueshme për shkak të moshës së mitur të vajzës ndërsa disa herë i kanë shkuar fjalë se çfarë thoshte viktima.

Sipas hetimeve dyshohet se mëngjesin e 20 shkurtit, Klaudio Lisaj, i njohur i viktimës dhe i familjes Koçeku, e ka nxjerrë Pavlin Prekën nga banesa e tij në Guci të Re. Më pas, sipas dyshimeve të prokurorisë, Vasel Koçeku e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Trupi i pajetë i 20-vjeçarit u gjet disa orë më vonë nga familjarët, pasi ai nuk u përgjigjej thirrjeve telefonike. Pas ngjarjes, xhaxhai i viktimës deklaroi publikisht se Pavlin Preka nuk kishte konflikte të njohura, duke theksuar se i riu jetonte mes Shkodrës dhe Dukagjinit.

Lidhur me ngjarjen u arrestuan Vasel Koçekun dhe Klaudio Lisaj.

 

ekzekutimi i aleksandër koçekut shkoder pista qe po heton policia

Lini një Përgjigje