
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i Iranit ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe vendet që strehojnë bazat ushtarake amerikane se çdo sulm i mëtejshëm ndaj Iranit do të përballet me një hakmarrje "më shkatërruese".
Paralajmërimi vjen pasi SHBA kreu gjatë natës sulme të reja ndaj objektivave në Iran. Sipas mediave shtetërore iraniane, të paktën tetë persona u vranë nga këto sulme.
Në kundërpërgjigje, Garda Revolucionare njoftoi se ka shënjestruar bazën ushtarake amerikane Al Udeid në Katar. Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA raportoi se sulmi ishte pjesë e operacioneve hakmarrëse të Teheranit.
Kjo nuk është hera e parë që baza Al Udeid, e cila konsiderohet një nga instalimet më të rëndësishme ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, vihet në shënjestër nga Irani. Ajo u sulmua gjithashtu në qershor të vitit të kaluar.
Ndërkohë, Garda Revolucionare deklaroi, përmes televizionit shtetëror iranian, se gjatë natës kishte në shënjestër edhe avionë luftarakë amerikanë në Jordani.
Më herët, autoritetet jordaneze njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit interceptuan dhe rrëzuan tre raketa iraniane që hynë në hapësirën ajrore të Jordanisë.
Përshkallëzimi i tensioneve është shtrirë në disa vende të rajonit. Gjatë natës u aktivizuan sirenat e alarmit edhe në Bahrein, ndërsa shkëmbimi i sulmeve mes SHBA-së dhe Iranit ka vijuar gjatë gjithë javës, duke shtuar frikën për një zgjerim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Lini një Përgjigje