TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Qershor 2026, 13:33

Rama kapet me protestuesin: Respekte për etikën, mos delironi me sharje

Shkruar nga Pamfleti
Rama kapet me protestuesin: Respekte për etikën, mos delironi me
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama sot në 15 qershor ka replikuar me një protestues, në lidhje me tubimet e qytetarëve të ditëve të fundit.

Kreu i qeverisë ka replikuar me një qytetar. Rama e përgëzon, që në këtë debat me të, ai nuk përdori asnjë fjalë fyese apo ofenduese.

“Replikë në distancë me një protestues. Në çdo faqe do gjeni se çfarë më shkruan dhe si i përgjigjem këtij protestuesi atipik, që mendon ndryshe, por nuk shan, nuk akuzon, nuk deliron online. Respekte për etikën”, shkruan në postim kryeministri.

Protestuesi Nertil Shuli: Edi Rama Protesta në një demokraci nuk matet nga fakti nëse i pëlqen apo jo qeverisë. Ajo matet nga e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar vendime që ata i konsiderojnë të padrejta ose të dëmshme për interesin publik.

Të thuash se protesta "nuk ka më lidhje me Sazanin dhe Zvërnecin" vetëm sepse qeveria pretendon se ka ndjekur procedurat, është të harrosh se pikërisht transparenca, mosbesimi ndaj institucioneve dhe kërkesa për llogaridhënie janë arsyet pse qytetarët dalin në protestë. Nëse çdo dokument zyrtar do të mjaftonte për të mbyllur debatin publik, atëherë protestat nuk do të kishin ekzistuar kurrë në asnjë demokraci funksionale.

Rama: Asnjëherë nuk e kam menduar se protestat duhet t’i pëlqejnë qeverisë. Qeveria nuk pretendon se ka ndjekur procedurat, qeveria i ka të gjitha faktet për këtë dhe transparenca është pikërisht rreshtimi i fakteve. Askush nuk kërkon po ashtu mbyllje të debatit publik, po dhuna online, bullizimi i njerëzve në rrugë, bllokimi i rrugës së aeroportit nuk janë debat, po mbytje e debatit.

Protestuesi: Po ashtu, është e padrejtë të ngarkohet protesta me përgjegjësinë për dëmtimin e imazhit të vendit apo të sezonit turistik. Imazhi i një shteti nuk dëmtohet nga qytetarët që ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të protestuar, por nga paaftësia për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të ndërtuar besim. Demokracitë më të zhvilluara në botë përjetojnë protesta të vazhdueshme dhe kjo nuk i bën ato vende më pak tërheqëse për turistët apo investitorët.

Nëse ka pasur akte të papranueshme, bllokime të pajustifikuara apo individë që kanë kaluar kufijtë e ligjit, përgjegjësia është individuale dhe duhet trajtuar si e tillë. Por etiketimi i mijëra protestuesve si "turmë e manipuluar", "budallenj" apo vegla të "forcave destruktive" nuk është argument politik; është përçmim ndaj qytetarëve që mendojnë ndryshe.

Rama: Të protestosh është legjitime dhe askush s’e ve në diskutim këtë. Por t’u bësh jehonë shpifjeve, gënjeshtrave, fabrikimeve si ato që tërhoqën vëmendjen e tërë botës që gjeti në Shqipëri shesh për përsheshet e veta politike, ideologjike apo deri edhe fetare, është goditje ndaj vendit padyshim! Dhe të bllokosh deri edhe rrugën e aeroportit është cënim i sezonit turistik dhe ekonomisë. Askush nuk i ka futur të gjithë protestuesit në një thes, po kjo protestë ka brenda mozaikut të saj nga të gjitha dhe “turmën e manipuluar” e thanë vetë protestuesit e zhgënjyer nga ikja pas berihait mbrëmë natën…


Protestuesi: Më shqetësuesja është ideja se përfituesit e vetëm të protestës janë qeveria dhe partia në pushtet. Kjo e kthen çdo pakënaqësi qytetare në një instrument propagandistik, në vend që të shihet si një alarm demokratik. Në një republikë normale, protestat nuk duhen demonizuar dhe as instrumentalizuar; ato duhen dëgjuar.

Qytetarët nuk kanë detyrë të jenë të dobishëm për qeverinë. Ata kanë të drejtë të kërkojnë shpjegime, transparencë dhe respekt për shqetësimet e tyre. Demokracia nuk funksionon vetëm ditën e zgjedhjeve; ajo vazhdon edhe në sheshe, në debate publike dhe në zërin e kundërshtimit qytetar.

Rama: Më vjen keq për shqetësimin por kjo është e vërteta, në fund dy përfitues realë do të ketë dhe e di pse? Pikërisht sepse kjo qeveri di të dëgjojë e të nxjerrë mësime, ndërsa Partia Socialiste ka me vete të vërteta të atilla, që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i dinë shumë mirë. Në mbyllje, problemi nuk jane shpjegimet, problemi mbetet kur disa nuk duan t’i degjojnë shpjegimet dhe as duan të komunikojnë qetësisht (rasti yt është shumë i rrallë në lumin e harbimit digjital).

rama kapet me protestuesin

Lini një Përgjigje