Deputetja e shpallur e pavarur jep sinjalin e parë publik në mbështetje të protestuesve, një ditë pas ndarjes nga Partia Socialiste.
Vetëm një ditë pasi njoftoi largimin nga Partia Socialiste dhe kalimin si deputete e pavarur, Marjana Koçeku ka dhënë sinjalin e parë publik që po rreshtohet në krah të protestuesve.
Deputetja e Shkodrës, e njohur si “Neomalsorja”, ka publikuar në rrjetet sociale një flamingo, simbolin që është identifikuar prej ditësh me protestat kundër qeverisë. Edhe pse pa asnjë koment shoqërues, postimi duket si një mesazh politik dhe një shprehje mbështetjeje ndaj lëvizjes protestuese.

Reagimi vjen në një moment të vështirë për PS, pasi vendi përjeton sot ditën e 16-të të protestave, ndërsa brenda Partisë Socialiste kanë nisur të shfaqen hapur shenjat e pakënaqësisë. Vetë Koçeku një ditë më parë njoftoi largimin nga grupi i socialistëve, duke deklaruar se vendimi lidhej me bindjet dhe vlerat e saj personale.
Publikimi i simbolit të protestës shihet nga shumë vëzhgues si një hap më tej nga distancimi i saj me mazhorancën. Nëse dorëheqja nga PS u konsiderua si një goditje politike për kryeministrin Edi Rama, postimi i sotëm duket se forcon perceptimin se deputetja po pozicionohet pranë kauzës së protestuesve.
Deri tani, Koçeku nuk ka bërë asnjë deklaratë të drejtpërdrejtë në mbështetje të protestave dhe as nuk ka sqaruar domethënien e postimit të saj. Megjithatë, zgjedhja e flamingos, simbolit që ka shoqëruar marshimet dhe mobilizimet e ditëve të fundit, vështirë se mund të konsiderohet rastësi në klimën aktuale politike.
Por duket se te komentuesit ka një ndarje lidhur me aktin e saj. Ka shumë nga ata që e kritikojnë duke kërkua të dorëhiqet fare si deputete. Disa e akuzojnë për dështim të protestës studentore në 2018. Një pjesë e madhe përgëzojnë dhe i urojnë mirëseardhjen.
Bravo! Por ty te takon te postosh krimet e PS dhe Pdse ne Dukagjin, diskriminim ne infrastrukture ne Rrjoll, Puke, ne Kukës, ne Milot-Lezhe, rruget ne krahinën e Lumes...hipokrizit e Ramutit ne Theth....
Mos e pranoni... Sduhet ta pranojme... Eshte kali i Trojes nga mbreti... Ajo di vec te shkateroj sic beri me studentet....