
Aktori Nik Xhelilaj, i cili luajti edhe rolin e regjisorit të famshëm Piro Milkani, në filmi autobiografik ‘Trishtimi i Zonjës Schneider’, ka folur për humbjen e artistit të madh. Në një intervistë për ‘Pardon my french’ aktori ka zbuluar gjithashtu detaje nga jeta e tij, karriera, projektet që do të vijnë.
Kontakti i parë i Nik Xhelilaj me kinematografinë ka qenë pikërisht me regjisorin Piro Milkani.
Si e mori vesh lajmin për ndarjen e tij nga jeta?
Është e çuditshme se sa influencë kishte Piro edhe pse unë nuk ndodhem shpesh në Shqipëri, por flas për rrugëtimin artistik. E kisha si një ogur mbarësie, si tip hajmalie. Sa herë që isha këtu, por edhe kur nuk isha, më duhej që ta kontaktoja patjetër. Jo vetëm regjisor, por për mua ishte një humbje shpirtërore sepse kisha një marrëdhënie shumë prindërore në raport me artin. Një njeri i madh si në profesion por edhe nga ana njerëzore. Bëri diçka që kur e mendon sot të duket deri diku e pabesueshme.
Aktori shtoi gjithashtu:
T’i besosh një studenti pothuajse me zero eksperiencë përpara kinemasë një rol aq të rëndësishëm, jo vetëm për Piron por edhe për kinemanë shqiptare, si një prej filmave të mirë, “Trishtimi i Zonjës Shnajder”. Kisha sigurisht një pikëllim edhe pse në një moshë të thyer të themi. E kishte natyrën e tij që nuk e besoje dot, sepse do të ishte gjithmonë aty me atë mirësinë, telefonatën dhe motivimin e tij.
Për mua është një humbje, e kam pasur gjithmonë si një nga tifozët, mbështetësit dhe suportuesit më të mëdhenj të punës sime. Si këtu por edhe jashtë.
Lini një Përgjigje