Filmat horror historikisht kanë qenë të anashkaluar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, njohur si ‘Oscars’, por kjo mund të ndryshojë këtë vit. Kur të shpallen nominimet për edicionin e 98-të të çmimeve Oscar, përralla me vampirë e regjisorit Ryan Coogler, “Sinners”, pritet të jetë një nga surprizat më të mëdha të ceremonisë.
Nominimet do të lexohen të enjten në orën 14:30 CET, nga aktorët Danielle Brooks dhe Lewis Pullman. Transmetimi do të ndiqet drejtpërdrejt në Oscar.com, Oscars.org, platformat dixhitale të Akademisë Amerikane të Filmit si dhe në emisionin “Good Morning America” në ABC.
Deri më sot, asnjë film nuk ka arritur më shumë se 14 nominime për Oscar, rekord që mbahet nga “All About Eve”, “Titanic” dhe “La La Land”. Megjithatë, “Sinners” shihet si një kandidat serioz për ta thyer këtë shifër, falë nominimeve të pritshme në kategoritë teknike, skenar, regji, si dhe për interpretimin e Michael B. Jordan, i cili mund të marrë nominimin e tij të parë në Oscar.
Një tjetër favorit i madh i sezonit është filmi i Paul Thomas Anderson, “One Battle After Another”. Komedia që trajton marrëdhënien mes një babai dhe vajzës së tij revolucionare ka kaluar sezonin e çmimeve pa pengesa të mëdha dhe mund të sigurojë deri në 14 nominime, përfshirë pesë ose gjashtë në kategoritë e aktrimit.
Pavarësisht numrit final të nominimeve, Warner Bros. është shumë pranë arritjes së performancës më të mirë në historinë e saj 102-vjeçare në Oscar. Të dy filmat, “Sinners” dhe “One Battle After Another”, pritet t’i sjellin studios një numër rekord nominimesh, në një moment vendimtar, teksa kompania përgatitet për shitjen e saj te Netflix.
Më herët gjatë javës, Netflix përmirësoi ofertën prej 72 miliardë dollarësh për blerjen e Warner Bros. Discovery, duke paraqitur një ofertë tërësisht në para, e cila shihet si më tërheqëse se ajo konkurruese e Paramount Skydance.
Ndërkohë, këtë vit Oscarët prezantojnë edhe një kategori të re për përzgjedhjen e aktorëve, gjë që pritet të favorizojë më tej filmat “Sinners” dhe “One Battle After Another”, duke rritur shanset e tyre për një numër edhe më të madh nominimesh.
Në garën për Filmin më të Mirë, do të nominohen dhjetë produksione. Përveç dy favoritëve kryesorë, në listë pritet të përfshihen edhe drama familjare norvegjeze “Sentimental Value”, drama shekspiriane “Hamnet” dhe drama sportive “Marty Supreme”.
Lini një Përgjigje