Kreu i PD-së thotë se mbështetës nga Shqipëria dhe diaspora po i bashkohen protestës në Tiranë, ndërsa kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar protestën e sotme në Tiranë si momentin më kulmor të lëvizjes qytetare dhe rinore kundër qeverisë.
Gjatë bashkëbisedimit në rrjetet sociale me ndjekësit e tij, Berisha tha se java e fundit ka shënuar protestat më të mëdha rinore dhe qytetare në vend, duke theksuar se tubimi ka vijuar për 20 ditë pa ndërprerje.
Sipas tij, protestës po i bashkohen demokratë, mbështetës të Partisë Demokratike, qytetarë pa parti, si dhe shqiptarë nga diaspora.
“Diaspora shqiptare ka mësyrë vendin e vet”, u shpreh Berisha, duke pretenduar se rrugët, aeroportet dhe tragetet po sjellin dhjetëra mijëra shqiptarë drejt Tiranës.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po injoron kërkesat e protestës dhe se po përpiqet të zhvendosë vëmendjen duke sulmuar blogerë, mediat sociale dhe kritikët online.
Ai kërkoi plotësimin e pesë kërkesave të protestës, të cilat i cilësoi si kërkesa të një lëvizjeje mbarëpopullore, jopartiake, rinore dhe qytetare.
Në deklaratën e tij, Berisha iu referua edhe zhvillimeve në Parlamentin Evropian, duke thënë se në raportin e AFET është përfshirë një amendament për Zvërnecin, ku kërkohet moratorium për vendime të mëtejshme në zonën e mbrojtur.
Kreu i PD-së tha se këto zhvillime tregojnë se protesta ka marrë jehonë ndërkombëtare dhe se, sipas tij, “dita e fundit e këtij regjimi po afron”.
Lini një Përgjigje