
Katërmbëdhjetë ditë pas nisjes së protestave, bulevardi vijon të mbushet me qytetarë që refuzojnë si qeverinë ashtu edhe opozitën. Ndërsa Edi Rama kalon në sulm dhe Sali Berisha përpiqet të përfitojë politikisht nga lëvizja, protesta po shndërrohet në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj gjithë kastës politike që ka dominuar tranzicionin shqiptar për më shumë se tre dekada.
Kur protesta nisi dy javë më parë si një reagim ndaj investimeve të debatueshme në bregdet, pak kush mendonte se do të arrinte të mbante ritmin për 14 ditë radhazi. Por ajo që po ndodh në Tiranë po shndërrohet gradualisht në një fenomen politik dhe qytetar që po vë në siklet të gjithë kastën politike shqiptare.
Për të 14-ën ditë me radhë, qindra qytetarë iu bashkuan protestës para Kryeministrisë. Ndryshe nga parashikimet e shumë analistëve dhe politikanëve, pjesëmarrja jo vetëm që nuk është zbehur, por sipas organizatorëve dhe vëzhguesve në terren ka mbetur e lartë, duke njohur edhe rritje në ditë të caktuara.
Pjesëmarrje e jashtëzakonshme sot
Ky qëndrueshmëri duket se ka filluar të prodhojë nervozizëm në kampet politike. Vetëm një ditë më parë, Partia Socialiste organizoi festën e 35-vjetorit të saj, një aktivitet që mori formën e një demonstrimi force politike në një moment kur protestat po fitonin terren në opinionin publik. Ndërsa sot, kryeministri Edi Rama reagoi me një nga deklaratat e tij më të ashpra ndaj protestuesve, duke i akuzuar për presion, intimidim dhe duke bërë krahasime me lëvizje ekstremiste të së kaluarës.
Për shumë protestues, ky reagim është shenja më e qartë se qeveria nuk po e sheh më protestën si një episod kalimtar, por si një lëvizje që po fiton terren dhe po prodhon efekt politik.

Në anën tjetër të spektrit politik, edhe Sali Berisha po përpiqet të pozicionohet pranë protestës. Kreu i Partisë Demokratike e ka cilësuar atë si një lëvizje kundër qeverisë së Edi Ramës dhe një përballje me atë që ai e quan “diktaturë autoritare”.
“Është lëvizja më e fuqishme që po përballet me diktaturën autoritare të Edi Ramës”, deklaroi Berisha.
Megjithatë, përpjekja e opozitës për ta përvetësuar politikisht protestën përballet me një realitet të dukshëm në terren. Në tubime dëgjohen rregullisht thirrje jo vetëm kundër Ramës, por edhe kundër Berishës dhe klasës politike në tërësi. Sot thirrja "Rama në burg, Berisha në burg" jehonte ngado.

I pyetur për sloganet kundër tij, Berisha u bëri thirrje mbështetësve të mos u kushtojnë rëndësi.
“Qytetarët janë të lirë të thonë çdo slogan që duan, por ata që përpiqen t’i manipulojnë, ata janë mjeranë. Injorojini dhe mos keni asnjë impresion nga ato slogane”, tha ai.
Por kjo protestë përveç drithërimës që i dha Ramës tregoi se opozita nuk frymëzon. Berisha kurrë nuk i ka mbledhur kaq qytetarë dhe duket se ai është problemi. Me pak fjalë ata janë bashkë.
Kjo është ndoshta karakteristika më e veçantë e protestës së këtyre dy javëve. Për herë të parë pas shumë vitesh, në shesh po dëgjohen njëkohësisht thirrje kundër qeverisë, opozitës dhe gjithë elitës politike që ka dominuar tranzicionin shqiptar.
Ndërsa Rama e sulmon dhe Berisha përpiqet ta përqafojë, protesta vazhdon të insistojë se nuk është as e qeverisë dhe as e opozitës. Dhe fakti që pas dy javësh qytetarët vazhdojnë të dalin në rrugë, po e bën gjithnjë e më të vështirë për politikën që ta injorojë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje