Protesta kundër qeverisë dhe klasës politike vijon pa shenja tërheqjeje në kryeqytet, ndërsa qindra qytetarë kanë vazhduar marshimin nëpër rrugët kryesore të Tiranës edhe pas më shumë se katër orësh mobilizim.
Pasi kaluan pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, protestuesit janë ngjitur drejt Rrugës së Dibrës, ku kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në të dyja krahët e aksit.
Gjatë gjithë lëvizjes nuk kanë munguar thirrjet që kanë shoqëruar protestën që prej nisjes së saj para Kryeministrisë. “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëri e Re” janë dëgjuar vazhdimisht nga protestuesit.
Bllokimi i Rrugës së Dibrës vjen pasi më herët protestuesit paralizuan për një kohë të gjatë segmente të Unazës së Vogël, duke e shtrirë protestën në disa prej akseve më të rëndësishme të kryeqytetit.
Ndërsa mbrëmja avancon, marshimi vijon në rrugët e Tiranës, me qytetarët që këmbëngulin se protesta do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre dhe se mobilizimi nuk do të ndalet pavarësisht kalimit të ditëve.
Lini një Përgjigje